Një 51-vjeçar grek është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi të trafikonte lëndë narkotike drejt Shqipërisë përmes aeroportit të Rinasit.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, pas një kontrolli të ushtruar në bagazhet e pasagjerëve të një fluturimi në linjën Athinë-Rinas.
Gjatë kontrollit, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, gjetën në një valixhe dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Pas veprimeve hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek me inicialet M. P., 51 vjeç. Sipas Policisë, ai ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes në Rinas.
Shërbimet policore arritën ta lokalizonin dhe ta kapnin në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit.
