Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Lapaj deklaroi se Rama ka pranuar se ka firmosur për inceneratorin, ndërsa sipas tij, impianti nuk është ndërtuar.
Ai e cilësoi këtë si një çështje të rëndë që lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë për administrimin e parave publike.
Gjatë intervistës, ai ngriti edhe një tjetër pretendim, duke deklaruar se më 9 nëntor, Republika e Shqipërisë i ka paguar kompanisë që, sipas tij, nuk ka ndërtuar inceneratorin, një shumë prej 35 mijë eurosh.
Lapaj u ndal gjithashtu te koncesioni i Check-Up, të cilin e cilësoi si një tjetër projekt të dështuar, ndërsa kërkoi përgjegjësi për vendimmarrjet që kanë shkaktuar dëme në financat publike.
Sipas tij, hetimet për çështje të ndryshme kanë nxjerrë në pah shkelje dhe është e nevojshme të zbardhen përgjegjësitë e personave të përfshirë.
“Pas firmës fap fap doli që nuk ka incinerator. Inceneratori i Tiranës nga godina e Kryeministrisë nuk është më larg se 10 km në vijë ajrore. Ky është njeriu që i kemi besuar buxhetin e shtetit…I kemi dhënë çelësin. Pati edhe debat publik. A nuk u bë kurioz kur të gjithë i thonë mungon? Në datën 9 nëntor Republika e Shqipërisë i ka paguar kompanisë që nuk e ka ndërtuar inceneratorin 35 mijë euro. Kjo nuk është e qartë sepse po të ishte e qartë do ta kishin arrestuar. Këtu bëhet fjalë për një njeri që në çdo drejtim që është hetuar dhe po hetohet po del shkelje është e pamundur që të mos ketë lidhje”, tha ai.
