Dokumente dhe objekte personale të Gjin Aladro Kastriotit, me origjinë spanjolle dhe i njohur në qarqet shqiptare dhe evropiane për pretendimin e tij për fronin shqiptar, në një periudhë kur çështja e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar ishte në qendër të zhvillimeve politike e diplomatike, janë ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare. Duke u ndalur të rëndësia e dokumentit, drejtoresha foli për ekspozitën historike-dokumentare “Gjin Aladro Kastrioti: Pretendenti apo patrioti?”

“Një figurë ku ndërthuren pretendime dinastike, ambiciet politike, diplomacia, dhe mbështetja e aspiratave kombëtare shqiptare. Sot nuk jemi këtu për të dhënë një përgjigje përfundimtare, jemi këtu për ti dhënë fjalën dokumentit, burimit historik dhe dëshmisë së kohës”, tha Toçi.

Ekspozita synon të nxisë një vështrim historik dhe kritik mbi një personazh që mbetet mes polemikës, interesit historik dhe kujtesës kombëtare, ndërsa ambasadori i Spanjës foli për aspekte të harruara

“Edhe pse historiografia tradicionale shpesh e ka trajtuar si një nga pretendentët, për fronin shqiptar gjatë vitit 1900, kjo ekspozitë, thyen kornizat e vendosura. Qëllimi i ekspozitës është të ndriçojë një aspekt më fisnik e të harruar, aktivitetin e Gjin Aladro Kastriotit për mbështetjen e palëkundur që i dha kauzës kombëtare në kthesën delikate të shekullit 19-20”, tha ambasadori Gabriel Cremades Ventura.

E çelur në kuadër të javës së Spanjës, përmes dokumenteve arkivore, artefakteve historike, kartolinave me dorëshkrimin e tij, gazetave evropiane dhe botimeve të përzgjedhura nga biblioteka e tij personale, ekspozita u ofron vizitorëve mundësinë të njihen me dëshmi dokumentare të mbledhura dhe të identifikuara në arkiva e koleksione të ndryshme evropiane dhe shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb