Ardit Dulaj, protestues i angazhuar në lëvizjen që po organizon mobilizimin e diasporës për protestën e 28 dhe 29 nëntorit në Tiranë, ka folur në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me Ola Brukon, duke zbuluar disa nga kërkesat dhe mesazhet e kësaj lëvizjeje.
Dulaj theksoi se protesta e diasporës do të zhvillohet dhe se një nga kërkesat kryesore është ndryshimi rrënjësor i Kodit Zgjedhor, me synimin për një proces zgjedhor me lista të hapura dhe përfaqësim kombëtar. Ai tregoi gjithashtu se është shoqëruar gjashtë herë në polici, duke pretenduar se nuk kishte kryer asnjë shkelje. Sipas tij, në një prej rasteve, një togë prej 20 efektivësh policie i kishte dalë përpara dhe e kishte arrestuar.
Duke iu referuar vendimit të 27 korrikut për votën e diasporës, ai tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë një përgjegjësi morale për t’u angazhuar në çështjet politike dhe zgjedhore në Shqipëri. Dulaj nënvizoi se kërkesa kryesore e protestuesve është çrrënjosja e Kodit Zgjedhor dhe vendosja e një sistemi që garanton përfaqësim më të gjerë për qytetarët.
“Unë jam shoqëruar 6 herë në polici, pa asnjë shkelje. Një togë prej 20 policësh na dolën përpara dhe na arrestuan. Na u tha sikur kishim refuzuar urdhrin e policisë, apo dhe kishim gjuajtur me gurë. Po t’i shohësh ato akuza, i bie dënoheshim deri në 10 vite burg. Kam ndenjur 702 orë te burgu 302 dhe Prokuroria reagoi dhe tha që arrestimi im ishte i paligjshëm. Me vendimin e datës 27 korrik, për votën e diasporës, ne kemi përgjegjësi morale. Votat tona vijnë këtu, por qeveria s’e ka votën vetëm një herë për 4 vjet, por për çdo ditë qeverisjeje. Kodi Zgjedhor duhet të çrrënjoset. Nuk ka kthim pas. Diaspora vjen më 28-29 nëntor në Tiranë. Duam proporcional kombëtar, me lista të hapura. Nuk jemi kundër këtyre gjërave.”, tha ai.
