Kremlini i ka cilësuar të dobishme bisedimet mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe propozimi për një mision të përbashkët humanitar në një qytet të Ukrainës lindore.

Nga ana tjetër, i dërguari amerikan Steve Witkoff ka deklaruar për CNN se gjatë takimit është shënuar përparim në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për Ukrainën.

“Mendoj se sot u bë përparim”, u shpreh Witkoff, duke iu referuar edhe bisedimeve të zhvilluara një ditë më parë në Abu Dhabi.

Ai theksoi se palët kanë rënë dakord për zhvillimin e një takimi tjetër trepalësh, duke nënvizuar se ky është një prej objektivave që kërkon të arrijë presidenti Donald Trump.

Dy negociatorët amerikanë pritet të takohen më pas në Dublin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Irlandë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Ndërkohë, Yuri Ushakov, këshilltar i Kremlinit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Putinit, bëri të ditur se presidenti rus do të vijojë diskutimet për Ukrainën me Donald Trump në margjinat e samitit të APEC-ut, që do të zhvillohet në Kinë më vonë gjatë këtij muaji.

Ushakov konfirmoi gjithashtu se negociatat e drejtpërdrejta të paqes me Ukrainën, të cilat rifilluan këtë javë pas një ndërprerjeje prej nëntë muajsh, do të vijojnë.

Gjatë takimit me përfaqësuesit amerikanë, pala ruse ka përsëritur kundërshtimin ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s. Sipas Ushakov, Moska ia ka bërë të qartë këtë qëndrim delegacionit amerikan.

Kremlini shprehu gjithashtu shpresën që vendet evropiane të mbështesin diskutimet për krijimin e një arkitekture të re të sigurisë në Evropë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: