Juristja Enida Bozheku ka komentuar emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke e cilësuar atë si një figurë anonime dhe të dobët për një pozicion kaq të rëndësishëm.

E ftuar në emisionin “Prime News24”, Bozheku u ndal te profili profesional i Hasanit, e cila ka studiuar të drejtën ndërkombëtare në Milano, ka përfunduar një master në Bruksel për planifikimin dhe zhvillimin e projekteve dhe ka mbajtur detyra pranë Kryeministrisë dhe në departamentin mbështetës të SHISH-it.

Ajo vlerësoi se CV-ja e Hasanit është e përshtatshme për një pozicion që lidhet me negociatat për integrimin europian, por ngriti pikëpyetje për përvojën dhe profilin e saj në drejtimin e shërbimit sekret.

“Po ta shohësh kurrikulumin, e ka shumë të mirë për të marrë pjesën e një negociatoreje për të na futur në Bashkimin Europian. Personalisht do ta shihja në këtë pozicion. Në pozicionin e SHISH-it, ose jam unë konservatore, ose e mendoj aq shumë të rëndësishëm, edhe për të kaluarën tonë historike si popull, saqë mosha, eksperienca, situata gjeopolitike e Shqipërisë dhe të gjitha llojet e konflikteve janë shumë të rëndësishme. Mendoj që është një figurë absolutisht anonime dhe e dobët për atë pozicion”, u shpreh Bozheku.

Ajo theksoi se drejtuesja e re merr në dorë një institucion që, sipas saj, është dëmtuar në aspektin e besueshmërisë nga zhvillimet dhe skandalet që kanë shoqëruar drejtimin e mëparshëm të shërbimit sekret.

“Trashëgimia që merr është jashtëzakonisht e dobët në kuptimin e besueshmërisë, e respektit të atyre që punojnë aty, sepse mos harrojmë që figura e shefit është shumë e rëndësishme në këto pozicione”, deklaroi ajo.

Bozheku ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi funksionimin e SHISH-it në prag të zgjedhjeve vendore, duke pretenduar se një shërbim informativ i dobët mund të mos ofrojë informacionin e nevojshëm për zhvillimet që prekin sigurinë e vendit.

Sipas saj, përgjegjësitë e SHISH-it nuk kufizohen vetëm te kërcënimet nga jashtë, por përfshijnë edhe krimin e organizuar dhe faktorët e brendshëm që mund të cenojnë rendin kushtetues.

“Rendi kushtetues cenohet edhe nga krimi i organizuar, edhe nga armiku i jashtëm, edhe nga armiku i brendshëm, kushdo qoftë ai”, përfundoi Bozheku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb