Shqipëria do të ketë për herë të parë një Shtëpi të përhershme të Chabad-Lubavitch, organizatës ndërkombëtare hebraike, e cila synon të zhvillojë jetën fetare dhe të mbështesë komunitetet hebraike në mbarë botën. Lajmi u bë i ditur gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Emisarëve të Chabad-Lubavitch, ku Shqipëria u prezantua si vendi më i ri në rrjetin global të kësaj organizate. Për ngritjen e qendrës së parë të përhershme janë angazhuar rabini Yossi Fridman dhe bashkëshortja e tij, Etka Fridman, së bashku me djalin e tyre, Meir.
Familja do të punojë për t’i shërbyer komunitetit hebre vendas, por edhe numrit në rritje të turistëve dhe vizitorëve hebrenj që zgjedhin Shqipërinë si destinacion. Në njoftimin e Chabad-it theksohet se prania hebraike në Shqipëri daton prej rreth 2 mijë vitesh. Një dëshmi e kësaj historie janë edhe rrënojat e një sinagoge të lashtë, të zbuluara rreth dy dekada më parë në qytetin e Sarandës. Por ajo që e bën Shqipërinë veçanërisht të rëndësishme në kujtesën historike hebraike është qëndrimi i shqiptarëve gjatë Holokaustit. Në fokus është tradita e besës, një prej shtyllave të kulturës shqiptare, sipas së cilës mysafiri duhet mbrojtur dhe mikpritësi mban përgjegjësi për sigurinë e tij.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë familje shqiptare strehuan dhe fshehën hebrenjtë nga përndjekjet naziste, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që doli nga lufta me një popullsi hebraike më të madhe se ajo që kishte përpara konfliktit. Pas luftës, dekadat e regjimit komunist sollën izolimin e komunitetit hebre. Feja u ndalua dhe lidhjet me komunitetet hebraike në pjesën tjetër të botës u ndërprenë. Megjithatë, një komunitet i vogël arriti të mbijetonte dhe të ruante identitetin e tij.
“Koncepti shqiptar i besës do të thotë se e mban premtimin ndaj mysafirit, pavarësisht kostos. Gjatë Holokaustit, shqiptarët e mbajtën këtë premtim ndaj popullit hebre. Ne kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që kalon pragun të trajtohet si pjesë e familjes, ashtu siç e trajtoi Shqipëria popullin tonë kur kjo kishte më shumë rëndësi”, deklaroi rabini Yossi Fridman. Një tjetër arsye për hapjen e kësaj qendre është rritja e turizmit në Shqipëri dhe shtimi i vizitorëve izraelitë. Kjo ka krijuar nevojën për shërbime fetare dhe komunitare, si ushqimi kosher, një sinagogë dhe organizimi i vakteve tradicionale të Shabatit.
Familja Fridman synon të ndërtojë një qendër që do të shërbejë si pikë takimi për hebrenjtë që jetojnë në Shqipëri, por edhe si një vend mikpritjeje për turistët që kërkojnë të ruajnë traditat dhe praktikat e tyre fetare gjatë qëndrimit në vend. Nisma vjen si një kapitull i ri në marrëdhënien historike mes shqiptarëve dhe popullit hebre. Pothuajse një shekull pasi familjet shqiptare hapën dyert e shtëpive të tyre për hebrenjtë që po përndiqeshin në Evropë, tashmë një qendër hebraike do të hapë dyert e saj në Shqipëri, duke u mbështetur pikërisht te tradita e mikpritjes dhe besës shqiptare.
