Universiteti Luarasi ka mirëpritur përfaqësuesit e TechDX, të cilët prezantuan para studentëve programet e formimit profesional në fushën e sigurisë kibernetike, duke u njohur me përmbajtjen e trajnimeve, aftësitë që mund të përfitojnë dhe mundësitë për zhvillimin e karrierës në këtë sektor. Në qendër të prezantimit ishte një program trajnimi prej 400 orësh, i ndarë në katër module progresive: Certified Cybersecurity Associate, Certified Cybersecurity Analyst, Certified SOC Analyst dhe Certified CTI Analyst.
Programi përfshin më shumë se 100 laboratorë praktikë, ndërsa rreth 60% e tij zhvillohet përmes punës në laborator. Kjo u mundëson pjesëmarrësve të fitojnë aftësi konkrete në identifikimin e kërcënimeve, monitorimin e sistemeve dhe analizimin e incidenteve kibernetike.
Një nga avantazhet e këtij programi është se ai nis nga njohuritë bazë dhe nuk kërkon përvojë paraprake në teknologjinë e informacionit (IT), duke u krijuar mundësi edhe të rinjve që dëshirojnë të orientohen drejt një karriere në sigurinë kibernetike. Përmes trajnimit dhe certifikimeve përkatëse, pjesëmarrësit mund të përgatiten për të konkurruar në tregun e punës dhe për të përfituar mundësi rekrutimi në kompani vendase dhe ndërkombëtare.
Bashkëpunimi me TechDX është pjesë e përpjekjeve të Universitetit Luarasi për të lidhur formimin akademik me aftësitë praktike që kërkon tregu i punës, duke u ofruar studentëve mundësi shtesë për specializim dhe zhvillim profesional në sektorë me perspektivë të lartë.
