Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalëzit prodhoi një nga episodet më absurde në historinë e drejtimit të kësaj partie nga Edi Rama. Gjithçka nisi me një gafë të pastër procedurale dhe politike të vetë kryeministrit. Në nisje të mbledhjes, Rama paralajmëroi me bujë përjashtimin nga partia të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, pa llogaritur se në një parti të pajisur rregullisht me statute të depozituara në gjykatë, një veprim i tillë është i pamundur po s’u plotësuan disa kushte statutore. Ato janë: anëtari i partisë duhet të ketë krijuar një fraksion; anëtari i partisë duhet të ketë votuar në kundërshtim me direktivat e partisë; dhe anëtari i partisë mund të përjashtohet vetëm me votë nga partia. Spiropali nuk hynte në asnjë nga këto raste, përveçse atij të “lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe”, që statuti e toleron në kuadrin e “demokracisë së brendshme”.
Kur ora e votimit erdhi dhe në sallë u ngritën zëra kundër nga pesha të rënda të partisë pikërisht se Spiropali nuk kishte shkelur asnjë rregull të statutit, Rama u zbraps dhe nuk organizoi votim. Kjo shpjegon edhe deklaratën e parë të Sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi, i cili pas mbledhjes pranoi realitetin: përjashtimi nuk u hodh në votim, dhe ata të dy, Spiropali dhe Ndreca, mbeten anëtarë të PS-së, duke u larguar vetëm nga forumet drejtuese. Rama, me siguri i xhindosur siç i ndodh kur duhet të përgënjeshtrojë veten sepse shefi nuk gabon kurrë, i ka dhënë menjëherë urdhër të prerë Klosit ta ndryshojë deklaratën publike. Statute apo jo statute, me votim apo pa votim, ta gjente Klosi formulën — për Ramën me Spiropalin nuk mund të ketë kthim mbrapa nga ajo që ai tha.
I zënë në çark midis dëshirës së pakthyeshme të kryetarit autokrat dhe domosdoshmërisë për të gjetur një rrugëdalje pa shkelur formalisht rregullat e brendshme, Klosi botoi në Facebook një shpikje sa surrealiste aq edhe qesharake. Si t’i bëhej qejfi edhe statuteve të partisë, por edhe shefit të partisë? Për hir të statutit, Elisa Spiropali mbetet zyrtarisht anëtare e partisë; për hir të shefit, ajo konsiderohet “e përjashtuar” sepse, sipas alibisë komike të Klosit, “në PS anëtarësohesh online dhe nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”.
Me fjalë të tjera, Klosi u mundua t’i thotë shefit të tij, PS-së, mediave dhe opinionit publik se e katandisur në një “anëtare online”, Spiropali është po aq e papërfillshme dhe e pa peshë, sa mijëra anonimë të tjerë që regjistrohen me një klikim. Pa dyshim se ata mijëra anëtarë të tjerë “online” zor do ta kenë ta përtypin këtë përçmim. Dhe ja Spiropali që gjendet si te filmi Gladiatori: një përmes mijëra të tjerëve që do të kenë diçka më shumë se partia që i bashkon, urrejtjen ndaj uzurpatorit që aq sa i shfrytëzon, aq edhe i poshtëron.
Rama e citon vetë shumë shpesh dhe vend e pa vend atë shprehje të Niçes: “ajo që s’te vret, të bën më të fortë”. Rrallëherë kjo thënie e urtë i shkon tani si një dorezë e bardhë për duel Spiropalit dhe të uriturve të tjerë, ca për hakmarrje e ca për pushtet në PS. A do të dijë ajo të nxjerrë përfitimin maksimal nga kjo situatë absurde? Ajo ka dy rrugë përpara: ose vepron si Koçeku dhe përplas derën me dorëheqje, duke mos denjuar të mbajë statusin fyes të një anëtareje “online” në parti; ose, si “Gladiatori”, e pranon me krenari këtë status të “ushtarit të thjeshtë” për t’u kthyer në arenë dhe për të sfiduar shefin sa herë t’i jepet rasti.
Një gjë është e sigurt: Klosi, në përpjekje për ta kthyer në hiç Spiropalin, ofendoi pa dashje gjithë bazën e thjeshtë të partisë, duke i dhënë kështu rebeles një ushtri të gatshme të pakënaqurish.
