Për vite me radhë, prindërit dhe gjyshërit kanë qenë ata që u kërkonin të rinjve të largoheshin nga telefonat dhe të kalonin më shumë kohë me familjen. Por tashmë duket se rolet janë përmbysur. Gjithnjë e më shumë persona mbi 65 vjeç po kalojnë orë të tëra para ekraneve, duke shfletuar rrjetet sociale, shpërndarë video dhe ndjekur përmbajtje që algoritmet u sugjerojnë pa ndërprerje.
Fenomeni ka marrë edhe një emër të veçantë, “screenagers”, një kombinim i fjalëve ekran dhe adoleshentë, që përdoret për të përshkruar këtë kategori përdoruesish të moshuar, të cilët po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në botën digjitale. Në një artikull të publikuar më 15 nëntor 2026, gazeta spanjolle “El País” ngre shqetësimin se përdorimi i tepruar i telefonave inteligjentë nuk është më një problem që prek vetëm të rinjtë, por po përhapet edhe te brezat e moshuar.
Sipas një raporti të Këshillit të Lartë të Kërkimeve Shkencore në Spanjë (CSIC), përdorimi i internetit është bërë pothuajse universal te personat e moshës 65 deri në 74 vjeç. Në vitin 2025, 96.3% e kësaj grupmoshe kishin akses dhe përdornin rregullisht internetin.
Megjithatë, shqetësimi i ekspertëve nuk lidhet me përdorimin e teknologjisë në vetvete, por me rastet kur telefoni fillon të dominojë përditshmërinë, duke zëvendësuar aktivitetet e tjera dhe kontaktet sociale.
Nga Facebook dhe WhatsApp te videot e shkurtra dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale, të moshuarit po përfshihen gjithnjë e më shumë në një botë që ofron argëtim të vazhdueshëm, por që mbart edhe rreziqe të konsiderueshme.
Një prej shqetësimeve kryesore është vështirësia për të dalluar informacionin e vërtetë nga ai i manipuluar. Fotografitë e krijuara me inteligjencë artificiale, videot e falsifikuara dhe mesazhet mashtruese po bëhen gjithnjë e më bindëse, duke e bërë më të vështirë identifikimin e tyre nga personat që nuk janë rritur me teknologjinë digjitale.
María Gijón, autore e një libri mbi shkëputjen nga përdorimi i tepruar i telefonit, shpjegon se algoritmet e rrjeteve sociale e përforcojnë këtë fenomen. Sa më shumë kohë që një përdorues kalon duke parë, ruajtur apo shpërndarë një lloj përmbajtjeje, aq më shumë materiale të ngjashme i shfaqen.
Në këtë mënyrë krijohet një cikël i vazhdueshëm, ku përdoruesi ekspozohet kryesisht ndaj informacioneve që përforcojnë bindjet e tij, ndërsa përmbajtjet e pavërteta mund të ndikojnë në perceptimin e realitetit.
Një tjetër rrezik lidhet me mashtrimet financiare. Personat e moshuar mund të bëhen objektiva të mesazheve që synojnë të përvetësojnë të dhëna personale, informacione bankare apo të kërkojnë pagesa. Fakti që komunikojnë në të njëjtat platforma me fëmijët dhe nipërit mund t’u krijojë një ndjenjë të rreme sigurie, duke i bërë më pak të kujdesshëm ndaj personave të panjohur.
Por jo çdo sjellje që lidhet me përdorimin e rrjeteve sociale është domosdoshmërisht shenjë varësie. Një pjesë e të moshuarve shpërndajnë vazhdimisht video, fotografi dhe materiale të krijuara me inteligjencë artificiale, si një mënyrë për të mbajtur kontaktin me familjarët.
María Quevedo, drejtuese e trajtimit në klinikën RECAL, shpjegon se pas këtyre veprimeve shpesh fshihet një nevojë emocionale për të ruajtur lidhjet dhe për të ndier se vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së të afërmve. Një video me mace, një recetë apo një fotografi e pazakontë mund të jetë thjesht mënyra e tyre për t’i treguar dikujt se po mendojnë për të.
Për këtë arsye, ekspertja këshillon që familjarët të mos i përqeshin apo qortojnë për mesazhet e shumta që dërgojnë, pasi reagime të tilla mund t’i bëjnë të ndihen të refuzuar dhe të tërhiqen edhe më shumë në botën virtuale.
Problemi bëhet më serioz kur telefoni shndërrohet në aktivitetin kryesor të ditës. Përdorimi i tepruar mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, të reduktojë aktivitetin fizik dhe të kufizojë kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit, duke u shoqëruar në disa raste me ankth, vetmi dhe izolim.
Një raportim i BBC-së, i publikuar në shtator, solli edhe përvojën e një gruaje britanike 62-vjeçare, e cila pranonte se shpesh merrte telefonin pa e kuptuar dhe përfundonte duke kaluar shumë më tepër kohë nga sa kishte planifikuar në rrjetet sociale. Ajo theksonte se ky problem nuk prek vetëm të rinjtë, por edhe prindërit e gjyshërit, të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm për shembullin që u japin fëmijëve.
Megjithatë, specialistët nënvizojnë se teknologjia nuk duhet parë vetëm si kërcënim. Për shumë të moshuar, rrjetet sociale janë një mënyrë për të ruajtur kontaktet me familjarët që jetojnë larg, për të krijuar miqësi, për të marrë informacion dhe për të luftuar vetminë. Ato janë veçanërisht të dobishme për personat që kanë vështirësi në lëvizje ose mundësi të kufizuara për aktivitete shoqërore.
Zgjidhja, sipas ekspertëve, nuk është ndalimi i përdorimit të telefonave, por krijimi i një marrëdhënieje më të shëndetshme me teknologjinë. Familjarët duhet t’i ndihmojnë të moshuarit të identifikojnë mashtrimet, të kuptojnë funksionimin e algoritmeve dhe të dallojnë përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale.
Fenomeni i “screenagers” tregon se varësia nga ekranet nuk njeh më kufij moshe. Dhe ironia është se ata që dikur u kërkonin fëmijëve të linin telefonin gjatë darkës, sot mund të jenë vetë të fundit që e largojnë nga duart.
