Kryeministri britanik Andy Burnham po shqyrton mundësinë e një afrimi të ri me Bashkimin Europian, duke hapur edhe debatin për rikthimin e Britanisë në bllokun europian, gjashtë vite pas Brexit-it. Nisma e tij është mirëpritur nga drejtuesit e BE-së, por po has rezistencë brenda qeverisë britanike dhe vetë Partisë Laburiste, ku shumë deputetë druhen se rihapja e kësaj çështjeje mund të rikthejë përçarjet politike të referendumit të vitit 2016.
Sipas një analize të gazetës britanike The Times, Burnham po përgatitet të prezantojë këtë javë një vizion më të detajuar për marrëdhëniet e ardhshme me Brukselin, pas kontakteve me disa liderë europianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron.
Në fazën e parë, qeveria synon një marrëveshje që do të lehtësonte bashkëpunimin ekonomik dhe politik me BE-në. Ajo mund të përfshijë mundësi më të mëdha për të rinjtë britanikë dhe europianë që të punojnë apo studiojnë në vendet përkatëse, integrim më të ngushtë të tregjeve të energjisë dhe përafrim të rregullave për ushqimin dhe bujqësinë.
Një tjetër çështje në diskutim është përfshirja e Britanisë në nismën industriale europiane “Made in Europe”, megjithëse Brukseli mund të kërkojë kushte shtesë, përfshirë masa tregtare ndaj automjeteve elektrike kineze.
Ambicia e Burnham shkon përtej marrëveshjeve ekonomike. Kryeministri ka hapur diskutimin për disa skenarë afatgjatë, duke nisur nga rikthimi në tregun e përbashkët europian dhe bashkimin doganor, deri te anëtarësimi i plotë i Britanisë në Bashkimin Europian.
Por kjo ide përballet me një pengesë të rëndësishme politike: vetë elektoratin laburist.
Sipas të dhënave të organizatës kërkimore More in Common, nga 411 zonat elektorale të fituara nga laburistët në zgjedhjet e fundit, 256 kishin votuar për Brexit-in në referendumin e vitit 2016. Pra, rreth 62% e zonave që sot përfaqësohen nga deputetë laburistë kishin mbështetur largimin nga BE-ja.
Drejtuesi i organizatës, Luke Tryl, paralajmëron se mbështetja për afrimin me Europën mund të ndryshojë kur qytetarëve t’u paraqiten konkretisht kostot dhe kushtet e një marrëveshjeje të re. Veçanërisht të ndjeshme mund të jenë kontributet financiare që Britania do të duhet të paguajë në buxhetin europian.
Kundërshtimet nuk vijnë vetëm nga deputetët laburistë. Sipas The Times, kryeministri u ka dërguar një letër ministrave, duke u kërkuar të shmangin deklaratat publike për alternativat e ardhshme të marrëdhënieve me BE-në, ndërsa qeveria është ende duke shqyrtuar mundësitë.
Një tregues i ndjeshmërisë së kësaj çështjeje është fakti se 19 nga 27 anëtarët e kabinetit përfaqësojnë zona elektorale që votuan për largimin nga Bashkimi Europian.
Mes figurave që mund të tregohen të kujdesshme ndaj rihapjes së debatit përmenden kancelari i Thesarit John Healey dhe ministrja Angela Rayner. Të dy kishin shprehur më herët rezerva ndaj organizimit të një referendumi të dytë për Brexit-in, gjatë periudhës kur Partia Laburiste drejtohej nga Jeremy Corbyn.
Edhe figura të tjera të rëndësishme të partisë, përfshirë Lou Haigh, Lucy Powell dhe Lisa Nandy, mund të kërkojnë kujdes përpara se laburistët të angazhohen për një rikthim të mundshëm në BE.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit të martën, kryeministri mbrojti nevojën për të rishikuar marrëdhëniet me Brukselin, duke argumentuar se marrëveshja e Brexit-it kishte shkuar më tej nga sa kishin kërkuar qytetarët në referendum.
“Besoj fuqimisht se kemi përfunduar me një Brexit më të ashpër nga ai për të cilin votuan njerëzit”, citohet të ketë thënë Burnham.
Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen e negociuar nga konservatorët, duke argumentuar se ajo nuk po funksionon në interes të vendit.
Megjithatë, kryeministri ka bërë të qartë se gjatë mandatit aktual do të respektojë programin elektoral të laburistëve, i cili përjashton rikthimin në tregun e përbashkët, bashkimin doganor dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Ndryshimet më të mëdha, përfshirë mundësinë e anëtarësimit të plotë, mbeten pjesë e një diskutimi afatgjatë.
