Edhe pse është rritur mes privilegjeve të familjes mbretërore britanike, Mbreti Charles III ka një peng të pazakontë nga fëmijëria: nuk arriti kurrë të kalonte pushimet në kampet e famshme turistike Butlin’s. Dëshira e tij ishte të shkonte atje së bashku me motrën e vogël, Princeshën Anne, por nëna e tyre, Mbretëresha Elizabeth II, nuk ua plotësoi asnjëherë këtë kërkesë.
Historia është zbuluar nga një mik i mbretit, në ditën kur Charles festoi 78-vjetorin e lindjes, më 14 nëntor. Sipas tij, monarku e ka treguar disa herë këtë episod me humor, duke e renditur ndër gjërat që i kanë mbetur peng nga fëmijëria.
Charles dhe Anne i kishin kërkuar vazhdimisht prindërve të tyre, Mbretëreshës Elizabeth dhe Princit Philip, që t’i çonin me pushime në Butlin’s. Por përgjigjja e mbretëreshës ishte gjithmonë e njëjtë: “Nuk mendoj se do të mundemi ta realizojmë këtë”.
Në vend të kampeve turistike, fëmijët mbretërorë i kalonin zakonisht pushimet në rezidencat familjare në Balmoral, në Skoci, dhe Sandringham, në Norfolk.
Ironia është se në vitin 1963, kur Charles ishte 14 vjeç, Mbretëresha Elizabeth II dhe Princi Philip vizituan pikërisht kampin Butlin’s në Pwllheli të Uellsit, por pa marrë me vete fëmijët e tyre.
Ata u pritën nga themeluesi i kompanisë, Sir Billy Butlin, dhe shëtitën në ambientet e kampit me një Land Rover të hapur, mes pushuesve që i përshëndesnin. Me kërkesë të mbretëreshës, çifti vizitoi edhe kishën e kampit dhe u takua me kapelanin.
Princi Philip kishte një lidhje të mëparshme me këtë vend, pasi pas Luftës së Dytë Botërore kampi ishte shndërruar në një bazë stërvitore të Marinës Mbretërore, ku ai kishte qëndruar për një periudhë.
Rasti është shfrytëzuar edhe nga kompania Butlin’s, e cila këtë vit feston 90-vjetorin e themelimit. Përfaqësuesit e saj i kanë uruar ditëlindjen Charles dhe i kanë ofruar mundësinë të realizojë më në fund dëshirën e fëmijërisë.
“Dëshirojmë t’i urojmë Madhërisë së Tij një ditëlindje të lumtur dhe, ndërsa festojmë 90-vjetorin tonë, ta ndihmojmë të realizojë një dëshirë të fëmijërisë. Nëna e tij e ndjerë vizitoi Butlin’s në vitin 1963 dhe do të ishim të kënaqur ta mirëprisnim mbretin dhe familjen e tij në një prej resorteve tona”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Butlin’s u themelua në vitin 1936 nga sipërmarrësi Billy Butlin, me synimin për t’u ofruar familjeve pushime të përballueshme, me argëtim dhe aktivitete të organizuara. Sot kompania operon në tri resorte bregdetare në Bognor Regis, Skegness dhe Minehead.
Edhe Princi Harry kishte shprehur dikur dëshirën për të vizituar një prej këtyre resorteve me bashkëshorten Meghan. Gjatë një vizite në Universitetin e Chichester në vitin 2018, ai kishte parë strukturën e kampit nga dritarja dhe, duke e ngatërruar fillimisht me një cirk, kishte thënë me humor: “Duhet të shkojmë”.
Megjithatë, deri më sot, asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk rezulton ta ketë pranuar ftesën për të kaluar pushimet në Butlin’s.
