Kompania norvegjeze “Equinor, një nga furnizuesit më të mëdhenj të gazit natyror në Evropë”, është bërë objektiv i një sulmi kibernetik, i cili ka prekur disa prej sistemeve të saj të informacionit. Kompania konfirmoi incidentin të martën, më 17 nëntor, duke bërë të ditur se kishte angazhuar ekipet e specializuara për të menaxhuar situatën dhe për të rikthyer sigurinë e sistemeve.

Sipas raportimeve të Reuters, sulmi ka shkaktuar probleme në funksionimin e aplikacioneve të brendshme dhe sistemeve të korporatës. Gjithashtu, shërbimi i emailit të kompanisë ka dalë jashtë funksionit, sipas një burimi brenda Equinor të cituar nga agjencia e lajmeve.

Pavarësisht ndërprerjeve në sistemet informatike, kompania ka siguruar se aktiviteti kryesor nuk është prekur. Prodhimi i naftës dhe gazit vijon normalisht, ndërsa deri më tani nuk ka të dhëna që sulmuesit të kenë arritur të marrin apo të përgjojnë informacione.

Equinor bëri të ditur se ka njoftuar autoritetet përkatëse, por nuk ka dhënë detaje mbi origjinën e sulmit apo identitetin e personave ose grupeve që mund të qëndrojnë pas tij.

Autoriteti Norvegjez i Sigurisë Kombëtare (NSM) konfirmoi se është në dijeni të incidentit dhe se po ofron mbështetje për kompaninë, nëse është e nevojshme.

Sulmi ndodh në një periudhë kur Norvegjia ka paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve kibernetike ndaj infrastrukturës kritike dhe kompanive strategjike të vendit.

Muajin e kaluar, NSM ngriti vlerësimin e kërcënimit kibernetik në nivelin katër, në një shkallë me pesë nivele. Autoriteti paralajmëroi gjithashtu se sulmet kibernetike të suksesshme ndaj bizneseve norvegjeze ishin trefishuar gjatë gjashtë muajve të mëparshëm.

“Incidenti me të cilin po përballet Equinor konfirmon se rreziku është me të vërtetë i lartë”, deklaroi një zëdhënës i autoritetit për Reuters.

Sulmi ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të rëndësisë strategjike të Equinor në tregun evropian të energjisë. Kompania është një prej furnizuesve kryesorë të gazit natyror për vendet evropiane, çka e bën sigurinë e sistemeve të saj veçanërisht të rëndësishme.

Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë indikacion se incidenti ka ndikuar në furnizimin me gaz në tregjet evropiane.

Equinor ka bërë të ditur se do të publikojë informacione të tjera sapo të ketë një panoramë më të qartë mbi sulmin dhe pasojat e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb