Pas hedhjes së shortit, Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtare e seancës paraprake për dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë. Do të jetë gjyqtarja Zeqiraj ajo që do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet Prokurorisë së Posaçme për plotësimin e hetimeve.
Sipas SPAK, në qendër të hetimeve janë 10 procedura tenderuese, me një vlerë totale prej rreth 400 milionë eurosh pa TVSH. Bëhet fjalë për tenderin e Tunelit të Llogarasë, shtatë lotet e Unazës së Tiranës, lotin e tretë të rrugës Porto-Romano–Durrës dhe procedurën për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol.
Vetëm për tenderin e Tunelit të Llogarasë, SPAK llogarit një dëm ekonomik prej rreth 80 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.
Sipas akuzës, Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës, ndiqte procedurat e tenderëve nga shpallja deri në përzgjedhjen e fituesve, ndërsa vartësit e saj dyshohet se përshtatnin kriteret për të favorizuar kompanitë e paracaktuara.
Ish-zëvendëskryeministrja akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë në nëntë raste, pasi për tenderin e Albcontrol kjo vepër është parashkruar. Ndaj saj rëndojnë gjithashtu akuza për korrupsion në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në lidhje me dy vila të sekuestruara në Palasë dhe Dhërmi, me vlerë të përgjithshme rreth 1.8 milionë euro.
Në mesin e 28 të pandehurve janë edhe 22 ish-vartës të Ballukut, mes tyre Ervis Berberi, i akuzuar për shkelje të barazisë në nëntë procedura tenderuese, si dhe ish-drejtorët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
