Ja ku është Berni Ekleston, i vjetri i dashur, me 96 pranvera mbi supe dhe një gjuhë që nuk njeh frena. Edhe këtë herë, në shënjestër ka vënë Luis Hamiltonin. “Sa hipën në makinë për të nisur një garë, fillon menjëherë të ankohet dhe të qajë për diçka, madje pa mbërritur ende në kthesën e parë.

Nuk ka rëndësi se për çfarë bëhet fjalë, ai gjen gjithmonë diçka për t’u ankuar. Tashmë ka arritur në një moshë kur duhet të fillojë të mendojë për tërheqjen nga sporti”, shprehet Ekleston, si gjithnjë, pa dorëza. Por kjo është vetëm njëra prej shumë kritikave që ish-drejtuesi ekzekutiv i Formulës 1 ka rezervuar për protagonistët e Botërorit, në një intervistë ekskluzive për televizionin gjerman “RTL/Sky Sport”. Një intervistë në stilin e pastër të Bernit, ku nuk mungojnë as fjalët e mira.

Një prej tyre i kushtohet Kimi Antonelit: “Ai ka një talent të jashtëzakonshëm. Është bukur të shohësh dikë në moshën e tij që arrin rezultate të tilla. Duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet në rolin e një kampioni bote. Viti pas fitimit të titullit botëror nuk është aspak i lehtë”. Po Ferrari, a do të ishte një destinacion i mundshëm për Kimin? Pyetje së cilës Ekleson i përgjigjet me një batutë të fortë thubmuese për skuadrën italiane: “Duhet të presim derisa të kalojë të 50-at. Atëherë do të ishte një vend i mirë për të”.

ANTONELI PO, FERRARI JO

Nëse Kimi Antoneli ka arritur të bindë edhe Eklestonin, me siguri ka një arsye. Por të njëjtën gjë nuk mund të thuhet për Ferrarin. “Ferrari duhej të fitonte titullin botëror këtë vit. Kishte makinën më të mirë. Por shumë gjëra shkuan keq. E them prej shumë vitesh, që nga koha kur i binda të emëronin një francez në postin e drejtuesit të skuadrës: ka shumë italianë. Secili mendon se di më mirë se të tjerët se si duhet drejtuar ekipi, është i bindur se skuadra menaxhohet keq dhe se ai vetë do të dinte ta bënte më mirë”.

MË PAS, VJEN RADHA VASËRIT

“Për të qenë i sinqertë, është një njeri i mirë, por thjesht nuk është në nivelin e duhur për të drejtuar një skuadër si Ferrari. Ferrari ka nevojë për një njeri shumë, shumë, shumë të fortë, që mendon për Ferrarin që nga momenti kur zgjohet në mëngjes deri kur shkon të flejë”.

Më tej, Ekleston vazhdon me një tjetër thumbim: “Pyes veten nëse ai ia kushton vërtet pjesën më të madhe të mendimeve të tij Ferrarit”. Po atëherë, kush do të ishte njeriu i duhur? A do të ishte Kristian Horner zgjidhja ideale? Edhe në këtë rast, Berni nuk e kursen dozën e ironisë. “Sigurisht që ai ka treguar se është i aftë për ta kryer atë detyrë, por Ferrari është Ferrari. Atje duhet të flasësh një gjuhë të veçantë. Nëse do të arrinte ta fliste atë gjuhë, atëherë sigurisht që mund ta merrte përsipër këtë post”, deklaron britaniku.

SEKRETET DHE HIERARKITË

Ekleston tregon edhe se si arrin të ruajë energjinë dhe gjallërinë e tij, pavarësisht moshës së madhe. “Nuk kam asnjë sekret. Kam qenë me fat. Thjesht duhet të vazhdosh të punosh për aq kohë sa ke mundësi, pa menduar për faktin se je 90 apo 96 vjeç. Unë nuk mendoj kurrë se jam i moshuar”, shprehet ai. Por, natyrisht, fokusi kryesor i intervistës mbetet Formula 1. Ekleston ndalet edhe te hierarkia brenda Ferrarit dhe raporti mes Luis Hamiltonit dhe Sharl Lëklerkut. “Lëklerk është një njeri i Ferrarit. Hamiltoni, përkundrazi, erdhi dhe u përpoq të ndryshonte mënyrën se si funksionon Ferrari. Por tani është tepër vonë që ai t’ia dalë mbanë i vetëm”.

Sa i përket nevojës për të përcaktuar një hierarki të qartë brenda skuadrës, me një pilot të parë të padiskutueshëm, ish-numri një i Formulës 1 nuk ka asnjë dyshim. “Ferrari ka nevojë për një pilot të parë të përcaktuar qartë. Është shumë më mirë të kesh një numër një të vërtetë dhe një pilot të dytë shumë kompetent, i cili nuk përpiqet të bëhet numri një, por e di mirë se është numri dy. Kjo përbën një garanci për skuadrën”. Në fund, nuk mund të mungonte as Maks Vershtapen, një tjetër prej emrave më të përfolur të Formulës 1. Për Eklestonin, holandezi është piloti më i mirë në botë. “Është shumë më i fortë se të gjithë të tjerët. Nuk është thjesht pak më i mirë, por shumë, shumë më i fortë”, përfundon britaniku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb