Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i cilësuar si drejtues të një klani mafioz që, sipas tij, kontrollon pushtetin në vend.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Hoxha komentoi situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohet gjatë qëndrimit në paraburgim. Sipas tij, pavarësisht akuzave ndaj Veliajt, atij duhet t’i garantohet trajtim dinjitoz dhe e drejta për të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
“Edhe i burgosuri, nëse sëmuret, duhet ta çosh në spital. Këto nuk janë fije ligjore, por kriminale, që quhen Rilindje”, u shpreh Hoxha. Ai pretendoi se veprimet ndaj Veliajt janë kryer nga Balluku me miratimin e kryeministrit Rama, duke shtuar se kjo situatë tregon, sipas tij, se çfarë mund t’u ndodhë qytetarëve të zakonshëm kur përballen me interesa të fuqishme politike dhe ekonomike.
“Kur ia bëjnë Erion Veliajt këtë gjë, që deri para pak kohësh cilësohej si trashëgimtar i PS-së, imagjinoni çfarë u bëjnë qytetarëve të thjeshtë, nëse ndeshen me interesa mafioze”, deklaroi ai. Hoxha shkoi më tej, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si diktaturë dhe duke akuzuar Ramën dhe Ballukun se duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën në vend.
Në përfundim, përfaqësuesi i PD-së bëri thirrje për reagim qytetar, duke e konsideruar revoltën popullore si mënyrën për t’i dhënë fund asaj që ai e cilësoi si diktaturë. “Rama dhe Balluku e kanë vendin në burg. Janë një klan mafioz”, deklaroi Hoxha, ndërsa shtoi se, sipas tij, zgjedhje me Edi Ramën në pushtet nuk mund të ketë.
