Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur Plant City në Florida të SHBA-së, ku pesë persona kanë humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri brenda banesës së tyre. Sipas autoriteteve, një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre të mitur, të moshës 1, 3 dhe 5 vjeç, përpara se të kryente vetëvrasje.
Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, më 19 nëntor, në banesën e familjes, në rrugën Sparkman. Rasti u zbulua pasi Qendra e Reagimit ndaj Emergjencave mori një telefonatë nga brenda shtëpisë rreth orës 15:29, sipas orës lokale. Sherifi i Qarkut Hillsborough, Chad Chronister, bëri të ditur se gjatë telefonatës fillimisht u dëgjua një zë mashkullor që shqiptoi fjalët “më fal, shoku”, përpara se të dëgjohej një zhurmë e fortë.
Sipas dëshmisë së sherifit, më pas në telefonatë u dëgjua edhe një fëmijë i vogël duke iu lutur të atit që të mos e qëllonte. Policia mbërriti në banesë në orën 15:40, ku gjeti pesë anëtarët e familjes të pajetë, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sherifi Chronister deklaroi se familja kishte jetuar në atë banesë prej rreth një viti dhe se gjatë kësaj periudhe nuk ishte regjistruar asnjë telefonatë e mëparshme e policisë në pronë. Sipas tij, asnjëri prej prindërve nuk kishte një histori të njohur kriminale. Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike, ndërsa motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë mbeten të paqarta.
Duke përshkruar skenën me të cilën u përballën efektivët, Chronister tha se ajo ishte “asgjë më pak se një e keqe absolute”. Ai theksoi gjithashtu se ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe emocionale te efektivët e policisë dhe operatori që mori telefonatën. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare.
