Kryetari i PD, Sali Berisha ka komentuar përplasjet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me kryeministrin Edi Rama, duke i bërë thirrje të parit të bëjë publike gjithçka di për kreun e qeverisë.

Gjatë bashkëbisedimit online me ndjekësit, Berisha u shpreh se nëse Veliaj dëshiron të kontribuojë, duhet t’u tregojë shqiptarëve të gjitha informacionet që disponon për kreun e qeverisë.

Të njëjtin mesazh, kryedemokrati e kishte edhe për ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali e cila është përjashtuar nga radhët e PS me vendim të vetë kryeministrit.

“Erion Veliaj nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën, sepse sado që të ketë bërë vetë, krimet e Edi Ramës janë të pakrahasueshme me të asnjë tjetri dhe unë nuk mund të them se Erion Veliaj sot në qeli është rrezik ekzistencial për Shqipërinë. Ne kemi protestuar dhe kemi bërë gjithçka që ai të shkojë para drejtësisë. Ky është qëndrimi im ndaj cilido që do të kontribuojë për të larguar nga pushteti dyshen më famëkeqe Rama-Balluku apo Balluku-Rama”, tha Berisha.

Për Spiropalin, Berisha shkoi edhe më tej duke e ftuar të marrë me vete sa më shumë deputetë socialistë.

Ai shtoi: “Ndaj dhe të ftoj që të ftojmë së bashku secilin që mund të kontribuojë në largimin e kësaj dysheje nga pushteti që po rrënon qenien shqiptare. Çfarë ka në dorë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali? Ata dinë shumë më tepër se të tjerët për korrupsionin e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Ata duhet të përpiqen të bëjnë sa më shumë njerëz me vete nga ata deputetë. Është sot betejë për jetë, betejë për ekzistencën e kombit. Ne po shkojmë duke e zbrazur Shqipërinë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb