Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me ndikimin që, sipas saj, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të ushtrojë përmes njerëzve të emëruar prej saj në institucione të rëndësishme shtetërore.

Në emisionin “Top Story” në Top Channel, Spiropali përmendi drejtpërdrejt drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, si dhe një ministër, duke pretenduar se të dy janë emërime personale të Ballukut.

Ish-kryetarja e Kuvendit ngriti shqetësimin se këta zyrtarë mund të përdorin pozicionet e tyre institucionale për të ushtruar presion ndaj saj dhe familjes së saj. “Një njeri që është sot i pandehur, me dosjen me problematika të rënda me drejtësinë, mund të përdorë ende institucionet për t’i bërë presion ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së PS-së. Po çfarë ndodh me njerëzit e thjeshtë të vendit? Me ata që protestojnë? Kush u shkon në derë? Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, që është i emëruar personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj…”, deklaroi Spiropali.

Gjatë bisedës, ajo u ndal edhe te mënyra se si funksionon Partia Socialiste, duke pranuar se në të kaluarën kishte mbrojtur individë brenda partisë, të cilët, sipas saj, shpërndanin favore ekonomike përmes mesazheve telefonike.
Spiropali e vendosi Ballukun në qendër të kritikave të saj ndaj modelit të qeverisjes, duke e cilësuar si një tjetër pasojë të mungesës së kontrollit dhe përgjegjshmërisë brenda strukturave të partisë. Sipas saj, vendimmarrja është mbështetur shpesh te telefonatat, mesazhet dhe marrëveshjet personale, në vend të mekanizmave transparentë institucionalë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: