Kryeministri Edi Rama ka uruar sot, 22 nëntor, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e ka cilësuar këtë ditë si atë të “më të bukurave germa”, nën hijeshinë e të cilave jeton kujtesa e kombit dhe merr frymë e ardhmja e tij. Në kuadër të kësaj dite, Rama ka ndarë edhe pamje nga Muzeu i Arsimit në Korçë, i vendosur në godinën historike ku më 7 mars 1887 u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe.
Godina, e ndërtuar rreth 150 vite më parë, ishte shtëpia e patriotit korçar Diamanti Tërpo, i cili e dhuroi atë për hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe. Ky moment shënoi një pikë kthese në përpjekjet për arsimimin dhe emancipimin kombëtar të shqiptarëve.
Sot, Muzeu i Arsimit ruan dhe dokumenton historinë e gjuhës dhe të shkollës shqipe përmes dokumenteve, botimeve, teksteve shkollore dhe materialeve të tjera me vlera historike.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festohet çdo 22 nëntor, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Ky kongres kombëtar, i konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX, vendosi njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, duke hedhur një hap vendimtar për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
