Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka komentuar asamblenë e sotme të PS-së së Tiranës, duke veçuar 3 zërat kritik brenda saj.

Duke folur për Elisa Spiropalin, Pandeli Majkon dhe Erion Veliajn, Muçollari shkruan në reagimin e tij në rrjetet sociale se, këto zëra kritikë tregojnë mjerimin e Rilindjes.

Reagimi i plotë:

Në një moment kur qeveria dhe kupola drejtuese e PS-së janë të zhytura në afera nga më tronditëset, kur gjendja brenda tyre është rënduar si asnjëherë tjetër nga protestat dhe pakënaqësia masive popullore, në Partinë Socialiste ka vetëm 3 zëra që shprehin një lloj kritike, se diçka nuk shkon. Elisa, Pandeliu dhe Veliaj, i cili ka motive edhe më personale.

Në gjithë atë asamble, apo grup parlamentar, apo në forume të tjera, krejt të tjerët bëjnë sehir dhe duartrokasin.

Si mundet të mos ketë një dalje nga kjo kllapi, nga kjo dehje, dhe ngritje në nivelin e një qytetari të zakonshëm për të parë e kuptuar se kriza po thellohet sidomos nga heshtja e tyre?

Gjithë rrethi i ngushtë i Edi Ramës është nën akuzë, arkat me para kapen ngado, miliona donte dhe shefja e SHISH-it, e lidhur me krimin, veprat penale të secilit janë dyshifrore, shantazhojnë e përndjekin njëri-tjetrin dhe sërish, në PS askush nuk pipëtin. Të gjithë janë dakord?! Kjo nuk është sjellja e një force politike, por e një familjeje mafioze. Koza Nostra mund të operojë në këtë mënyrë. Po edhe aty me siguri ka më shumë kode e rregulla.

Ka një lloj eksitimi pas letrave të Veliajt, qëndrimeve të Spiropalit apo një gjysmë fjalie të Majkos. Por është e trishtueshme se si, para kësaj drame, një parti politike nuk gjen më shumë se 3 zëra për ndërgjegjen e saj. Për të mos thënë më tej, që të reflektojnë përtej gardhit të tyre, për kostot që po i shkaktojnë vendit. Mjerim!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb