Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami, i cili u ndalua pak kohë më parë në Elbasan, pas një përplasjeje në sallën e gjyqit, ku dyshohej për kanosje dhe kundërshtim të prokurorit Gjergji Ceka.

Barjami u ndalua me iniciativë të oficerit të Policisë Gjyqësore, ndërsa në momentin e ngjarjes ishte në cilësinë e mbrojtësit ligjor të të dyshuarit Maksim Suçi.

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, avokati nuk ka konsumuar vepër penale. Ndërkohë, janë zbardhur edhe momentet e debatit në sallën e gjyqit, ku Barjami u përplas verbalisht me prokurorin Gjergji Ceka dhe gjyqtaren Megi Strakosha.

Gjatë seancës, avokati pretendoi se në kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ishin pasqyruar të dhëna të rreme. Ai deklaroi se do të ndiqte rrugën ligjore ndaj prokurorit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Deklarata e tij shkaktoi reagimin e gjyqtares, e cila e paralajmëroi disa herë që të mos përdorte gjuhë kërcënuese në sallën e gjyqit dhe të përqendrohej te mbrojtja e klientit. Në debat ndërhyri edhe prokurori Ceka, i cili paralajmëroi se avokati do të arrestohej.

Debati i plotë në sallën e gjyqit:

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Tani, kërkesa e prokurorit për vlerësim arresti dhe për caktim mase bazohet te disa prova, apo jo? Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rremë të të dhënave. Dhe që do të merrem personalisht edhe me prokurorin, edhe me të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore…

Prokurori Gjergji Ceka: Aa… jo, jo…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat! Avokat!

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Do të bëj kallëzim…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Hera e fundit që…

Prokurori Gjergji Ceka: Do të arrestohet ai…

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Zonja gjyqtare… do të bëj kallëzim…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat! Avokat! Nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit!

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Me rrugë ligjore… jo…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle, me kë të doni ju. Të thashë… Avokat, do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Këto lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi, me mua si gjyqtare, nuk të lejohen! Përqendrohu te mbrojtja që do t’i bësh të pandehurit tënd! Ose do t’i caktoj ndonjë avokat tjetër kryesisht dhe do të nxjerr përjashta! Avokat, nëse vazhdon me këtë gjuhë komunikimi. Përqendrohu te mbrojtja, po të them! Paralajmërimi i fundit!

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Pasqyrim të të dhënave të rreme, si nga policia, si nga prokuroria. E pamë të gjithë qartë që as nga shtetasi Maksim Suçi, as nga persona të tjerë nuk ka kundërshtim. Nuk ka qenë fare në tavolinë. Kështu që, përfundimisht, kërkojmë vlerësimin e paligjshëm të arrestit dhe mos caktimin e asnjë mase sigurie.

Gjyqtarja Megi Strakosha: Faleminderit!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb