Analisti Fatos Lubonja ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, debatin për ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe pengesat për kryerjen e saj në një spital privat.

Lubonja u ndal te polarizimi mes të pasurve dhe të varfërve, duke e cilësuar shqetësues faktin që qytetarët nuk kanë besim te institucionet publike dhe se edhe një person që ndodhet në burg kërkon të marrë shërbim shëndetësor në mënyrë private. Sipas analistit, çështja e Veliajt ngre pikëpyetje për mënyrën se si funksionon sistemi, ndërsa solli në vëmendje edhe raportin e tij me kryeministrin Edi Rama. Lubonja tha se kjo situatë i kujton kohët e diktaturës, kur marrëdhëniet personale me pushtetin përcaktonin edhe trajtimin që merrte një individ.

Gjatë komentit të tij, analisti përmendi edhe rastin e Tuk Jakovës, ish-figurës së lartë komuniste, i cili vdiq në burg në vitin 1959, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për apendicitin. Ai tha se edhe sot vijojnë të ekzistojnë pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes së tij.

Duke iu referuar frikës së shprehur nga Veliaj për ndërhyrjen kirurgjikale dhe mundësinë e eliminimit fizik, Lubonja u shpreh se nuk beson se situata do të shkojë deri aty, por theksoi se nuk mund të përjashtohen dyshimet në një klimë të tillë mosbesimi. Sipas tij, një tjetër aspekt i rëndësishëm është mundësia që Veliaj të vendosë të bashkëpunojë dhe të tregojë atë që di për marrëdhënien dhe veprimtarinë e tij me Edi Ramën.

“Në shumë aspekte, çështja e Veliajt, gjëja e parë që më vjen të them, aty gjer tani kanë shkuar njerëz dhe e kanë bërë privatisht ndërhyrjen. Ndërkohë këtu e kanë ndaluar. E para, ky polarizim të pasur/varfër që kemi ndërtuar ne, është gjëja e parë që më shqetëson, më shumë se fati i Veliajt apo i Ramës. Mos të kesh besim te institucionet publike! Dhe në burg është polarizim i pasur/i varfër. Këta janë këta që kanë ndërtuar këtë sistem, ndaj kanë dalë njerëzit në shesh, për këtë sistem. Që dhe në burg, shkon dhe kërkon ndërhyrje privatisht.

Prokurori është njeri i ligjit dhe ka ligje që ti, nëse e ke lejuar dhe këtë s’e lejon, këtu nuk është më çështje e ligjit, por Maliqi. Se dhe ky do të kishte shkuar si të tjerët, si në Durrës. Që mund të ketë qenë i privilegjuar. ‘Po të jesh me mua, ti bën çfarë të duash. Po nuk je më me mua, unë bëj ligjin me ty, të persekutoj.’ (Rama-Veliajt)

Kjo më kujton ato kohët e kaluara. Një nga armiqtë e Enver Hoxhës, Tuk Jakova, ka qenë i burgosur dhe në vitet ’50 vdiq në operacion apendiciti. Dhe sot e kësaj dite thuhet: vdiq apo e vranë. Dhe Veliaj aludon: ore, do më heqin qafe. (Se pretendon se ka frikë nga operacioni dhe fati i tij se do të jetë nën efektin e narkozës).

A do të ketë plan për eliminim fizik, s’e di, se ai mund të mbrojë veten, por s’besoj se do të shkojë deri këtu puna. Por krimi ndjell krimin dhe ai në këtë rrugë ka hyrë. Nëse ai vendos të bëjë të penduarin dhe të tregojë se çfarë ka bërë me Edi Ramën, mund ta heqin dhe qafe. Ne themi shpeshherë: të bëjë të penduarin. Nuk të lënë këta të bësh të penduarin, s’duan. Kur s’të lënë, ta bëjnë dhe duke të hequr qafe. Por kjo është duke parë dhe duke analizuar.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: