Kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Ukrainë, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rajonin e Zakarpatias, në perëndim të vendit.
Kjo është vizita e parë e një kryeministri hungarez në Ukrainë që prej vitit 2015. Takimi synon përmirësimin e marrëdhënieve mes Budapestit dhe Kievit, pas disa vitesh tensionesh gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Gjatë takimit, dy liderët diskutuan për bashkëpunimin në fushën e energjisë, tregtinë dypalëshe dhe mbështetjen humanitare për Ukrainën.
Në veçanti, bisedimet u përqendruan te furnizimi i Ukrainës me gaz dhe naftë, si dhe zgjerimi i përdorimit të depozitave ukrainase të gazit nga kompanitë hungareze.
Palët diskutuan gjithashtu projektet e përbashkëta infrastrukturore, rindërtimin e pikave ekzistuese të kalimit kufitar, hapjen e pikave të reja dhe krijimin e linjave të drejtpërdrejta hekurudhore mes dy vendeve.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte bashkëpunimi në fushën e çminimit humanitar. Sipas presidencës ukrainase, dy liderët arritën marrëveshje konkrete për këto çështje dhe ngarkuan ekipet përkatëse me zbatimin e tyre.
Gjatë vizitës, Magyar shoqërohej nga ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orbán. Delegacioni hungarez zhvilloi gjithashtu, takime me përfaqësues të pakicës etnike hungareze që jeton në rajonin e Zakarpatias.
Një prej çështjeve kryesore në marrëdhëniet mes dy vendeve, ka qenë prej vitesh mbrojtja e të drejtave gjuhësore dhe arsimore të pakicës hungareze në Ukrainë, e cila përbëhet nga rreth 60 mijë persona.
Qëndrimi i Budapestit ndaj Kievit ka ndryshuar pas ardhjes në pushtet të Magyarit në maj të këtij viti, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit.
Hungaria ka tërhequr kundërshtimet ndaj hapjes së kapitujve të mëtejshëm të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, pas miratimit nga parlamenti ukrainas të ndryshimeve ligjore, që zgjerojnë të drejtat e pakicave kombëtare për përdorimin e gjuhës së tyre në arsim.
Megjithatë, Magyar ka bërë të qartë se Hungaria nuk do të dërgojë armë apo trupa ushtarake në Ukrainë, duke e orientuar mbështetjen drejt ndihmës humanitare dhe diplomacisë.
