Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar në kufi tre ngarkesa me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor 2026, dy prej të cilave përmbanin 54 ton mish pule me origjinë nga Brazili, ndërsa një tjetër përfshinte 25 ton produkte gruri nga Kosova.
Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë muajit nëntor në Pikat e Inspektimit Kufitar janë importuar gjithsej 5 277 ngarkesa. Prej tyre, 1 276 kishin origjinë shtazore, 2 834 origjinë joshtazore dhe 1 167 ishin produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore.
Gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithsej 167 mostra për analiza laboratorike, nga të cilat, sipas autoritetit, nuk janë konstatuar raste jokonforme deri më tani.
Sa u përket refuzimeve në kufi, dy rastet janë evidentuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës dhe një në Morinë.
Në Durrës, AKU ka bllokuar dy ngarkesa me 54 ton mish pule, të importuara nga kompania ZICO sh.a., me destinacion kthimin në Brazil. Vendimi është marrë pasi gjatë verifikimit është konstatuar se të dhënat në certifikatat shoqëruese nuk përputheshin me informacionin e regjistruar në sistem. Ndërkohë, në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë është refuzuar një ngarkesë e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, e përbërë nga 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500 dhe 18 ton “Hime gruri”, me destinacion kthimin në Kosovë.
Sipas AKU-së, për produktet e miellit është konstatuar mungesë e theksuar e dokumentacionit shoqërues. Në pjesën më të madhe të ngarkesës nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, ndërsa niveli i proteinave në ambalazh nuk përputhej me atë të deklaruar në dokumente. Gjithashtu, mungonin numri LOT dhe fleta e analizës për aflatoksinën.
Probleme janë konstatuar edhe te produkti “Hime gruri”, ku mungonte numri LOT në etiketa, duke e bërë të pamundur lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.
AKU bën me dije se të gjitha ngarkesat e refuzuara do të kthehen në vendet e origjinës, ndërsa thekson se mbetet e angazhuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
