Gazetarja Klodiana Lala ka kritikuar ish-kryetaren e Kuvendit dhe ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali, pas deklaratave të kësaj të fundit dhe përplasjeve me kryeministrin Edi Rama.

E ftuar në emisionin “Prime” në News24, me moderatoren Nisida Tufa, Lala deklaroi se priste që Spiropali të reflektonte mbi përgjegjësitë e saj gjatë viteve në pushtet, të kërkonte falje dhe të tregonte se çfarë kishte ndodhur brenda qeverisjes socialiste.

Sipas gazetares, deklaratat e fundit të Spiropalit nuk përbëjnë ndonjë zbulim të ri, por janë një përsëritje e denoncimeve që gazetarët kanë bërë ndër vite, në një kohë kur vetë Spiropali mbronte qeverinë dhe kryeministrin Rama.

“Prita që ish-ministrja e Jashtme, ish-kryetarja e Kuvendit, të thoshte: Jam Elisa Spiropali, ju rrëfej krimet e mia dhe bashkëpunëtorët. Kur nuk bëri mea culpa dhe nuk kërkoi falje për privilegjet që ka pasur, çdo fjalë e thënë prej saj është përsëritje e aferave që kemi denoncuar ndër vite”, u shpreh Lala.

Gazetarja vuri në pikëpyetje edhe motivet e përplasjes së Spiropalit me Ramën, duke ngritur dyshime nëse ndryshimi i qëndrimit të saj lidhet me prishjen e interesave politike.

“Sot Spiropali po na tregon me zë e figurë ato që ne i kemi thënë kur Spiropali na thoshte sa të mira ishin institucionet dhe se ‘Skënderbeu’ dhe qeveria do të na çonin në BE. Iu prishën interesat?”, deklaroi gazetarja.

Lala theksoi se distancimi i Spiropalit nga kryeministri nuk e përjashton atë nga përgjegjësitë politike për vitet kur ishte pjesë e rëndësishme e qeverisjes socialiste.

“Që Elisa të na dalë e të na shesë moral, këtë nuk e pranoj”, përfundoi Lala.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb