Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar vizitën e ambasadorit amerikan Eric Wendt në SPAK dhe mesazhet e tij për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Lalës, deklaratat e diplomatit amerikan për gjurmimin e parave përmes kriptomonedhave dhe provave dixhitale përbëjnë një mesazh të qartë dhe të fortë për politikën shqiptare.

Ajo theksoi se përdorimi i kriptomonedhave për fshehjen e parave të përfituara nga korrupsioni nuk është një fenomen i ri, ndërsa pretendoi se ekzistojnë dyshime që edhe politikanë të rëndësishëm kanë investuar në portofole të tilla.

“Ambasadori dha një mesazh të qartë dhe të fortë për politikën. Foli për kriptomonedhat. Nuk është gjë e re, por ka dyshime se politikanë të rëndësishëm kanë investuar në portofole kriptomonedhash. Vlerat e përfituara si ryshfete janë shumë të mëdha. Lingotat e arit janë një mënyrë, janë edhe kriptomonedhat. Ambasadori Wendt e tregoi qartë. Sado perfekt të jetë një krim, gjithmonë ka gjurmë. Mjafton që një hetues i mirë të dijë ta gjejë atë”, u shpreh Lala.

Gazetarja nënvizoi se gjurmët e korrupsionit mund të zbulohen përmes komunikimeve, pazareve, blerjes së votave, investimeve dhe lëvizjeve të parave në kriptomonedha. Sipas saj, hetuesit duhet të ndjekin çdo element që mund të shërbejë si provë për identifikimin e personave të përfshirë në aktivitetet e paligjshme.

“Janë komunikimet e bëra, pazaret, blerja e votave, investimet apo flukset e parave në kriptomonedha”, deklaroi ajo.

Lala u ndal edhe te bashkëpunimi i partnerëve ndërkombëtarë me SPAK-un, duke thënë se institucionet shqiptare të drejtësisë po mbështeten me prova dhe asistencë nga partnerët e huaj. Megjithatë, ajo theksoi se sfida mbetet sigurimi i provave, pasi mund të ketë përpjekje për zhdukjen e tyre.

Sipas gazetares, fakti që ambasadori Wendt përmendi serverët në SHBA ku mund të ruhen të dhëna të rëndësishme për hetimet, mund të përbëjë një shqetësim të madh për politikën dhe mazhorancën shqiptare.

“Partnerët ndërkombëtarë po e furnizojnë me prova SPAK-un dhe bashkëpunojnë ngushtë. Është sfidë, sepse mund të ketë përpjekje për zhdukjen e provave, por fakti që ambasadori foli për prova dixhitale, se ka një server diku në SHBA që e ka ruajtur atë të dhënë, kjo besoj se e shqetëson fort mazhorancën dhe politikën shqiptare”, u shpreh Lala.

Në fund, gazetarja ngriti edhe çështjen e flukseve të parave që, sipas saj, kanë ardhur nga aktiviteti kriminal në Shqipëri dhe janë përdorur për blerjen e votave.

Kujtojmë se ambasadori amerikan Eric Wendt, gjatë takimit me kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe drejtuesin e BKH-së, Joni Keta, theksoi se zyrtarët e korruptuar mund t’i fshehin ryshfetet në portofole kriptomonedhash dhe llogari jashtë vendit. Ai kërkoi që hetuesit të ndjekin gjurmët dixhitale dhe të sigurojnë në kohë provat që ruhen në serverët e kompanive amerikane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb