Dy shtetas irakianë janë arrestuar në Gjermani, nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste ndaj dy sinagogave, njëra në qytetin e Këlnit dhe tjetra në një vend fqinj evropian, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Lajmi u konfirmua nga Zyra e Prokurorit Federal gjerman, e cila bëri të ditur se operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit nga Agjencia Federale e Krimit (BKA). Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në 17 ambiente në landet Baden-Württemberg, Hesse dhe Nordrhein-Westfalen. Gjithashtu, autoritetet kontrolluan edhe një xhami në zonën Niel të Këlnit. Dy të arrestuarit, të identifikuar si Mustafa Al-R. dhe Ameer Z., dyshohet se kishin lidhje me organizata islamike në Heidelberg dhe Këln dhe se po përgatitnin sulme ndaj sinagogës në rrugën Roon të Këlnit dhe një objekti tjetër fetar në një shtet fqinj. Në hetimet e autoriteteve gjermane përmendet edhe Mohammad Al-Saadi, i cili përballet me akuza në SHBA si mbështetës i Hezbollahut. Ai konsiderohet nga hetuesit si një figurë qendrore e organizatës “Harakat Asab al-Yamin al-Islamiya”, e cila dyshohet se qëndron pas sulmeve ndaj institucioneve amerikane, izraelite dhe hebraike në vende të ndryshme të Evropës.
Sipas Prokurorisë Federale, grupi dyshohet se po grumbullonte fonde, rekrutonte persona për sulme me eksplozivë dhe kishte siguruar paraprakisht materiale dhe pajisje shpërthyese.
Hetimi, i nisur nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ka zbuluar gjithashtu se në fund të muajit mars, anëtarë të dyshuar të organizatës kishin vëzhguar për dy net radhazi zonat përreth sinagogave në Këln dhe në shtetin tjetër evropian. Sipas hetuesve, ata mbanin me vete edhe pajisje shpërthyese. Megjithatë, sulmet e dyshuara nuk u realizuan. Autoritetet gjermane nuk kanë dhënë detaje mbi arsyet që çuan në moskryerjen e tyre. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përmasat e rrjetit dhe përfshirjen e personave të tjerë në planet e dyshuara terroriste.
