Dyshimet për një rrjet të organizuar që synonte transferimin e paligjshëm të çipave të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës po marrin një tjetër drejtim, pasi në hetim po përmenden edhe marrëdhëniet personale mes drejtuesve të kompanisë amerikane dhe përfaqësuesve të kompanive partnere kineze. Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, Jay Puri, ish-numri dy dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të CEO-s së Nvidia-s, Jensen Huang, kishte prej disa vitesh një lidhje me Shenli Chen, një drejtuese e lartë e kompanisë Super Micro Computer.
Chen ishte një nga personat kryesorë të kontaktit mes Super Micro dhe Nvidia-s, pasi kompania ku ajo punonte konkurronte për të siguruar akses në çipat e avancuar të prodhuar nga gjiganti amerikan i teknologjisë. Ajo bashkëpunonte shpesh me Purin dhe shoqëronte drejtuesit e Super Micro gjatë vizitave në zyrat e Nvidia-s, ku diskutoheshin furnizimet me çipa për klientët e kompanisë. Sipas punonjësve të të dyja kompanive, marrëdhënia mes tyre ishte një sekret i njohur brenda ambienteve të punës. Gjatë takimeve të shitjeve të Super Micro, Chen u kërkonte anëtarëve të ekipit që t’i drejtoheshin asaj për çdo çështje që lidhej me Nvidia-n.
Çifti u martua në mars të këtij viti në Kaliforni, në një kohë kur autoritetet amerikane kishin nisur tashmë hetimet për dyshimet mbi transportimin e paligjshëm të çipave Nvidia drejt Kinës. Në këtë kontekst, raportimi ngre pikëpyetje edhe për ndikimin e marrëdhënieve personale në bashkëpunimet tregtare mes kompanive. Chen nuk pranoi të komentonte jetën e saj private, por mohoi që marrëdhëniet personale t’i kenë shërbyer për të përfituar profesionalisht. “Nuk më është dashur kurrë të mbështetem në marrëdhëniet personale për të fituar përfitime profesionale”, shkroi ajo në një email drejtuar The Wall Street Journal.
Hetimi për kontrabandimin e çipave me vlerë mbi 500 milionë dollarë
Më 19 mars, Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave ndaj një bashkëthemeluesi të Super Micro, një menaxheri shitjesh dhe një ndërmjetësi, të dyshuar për komplot me qëllim kontrabandimin drejt Kinës të serverëve të pajisur me çipa të avancuar Nvidia, me vlerë mbi 500 milionë dollarë. Sipas raportimit, Jensen Huang dhe Jay Puri kishin ndërtuar një rrjet me dhjetëra partnerë në Azi dhe SHBA, përfshirë kompaninë Megaspeed dhe Super Micro, për të përmbushur kërkesat e Kinës për infrastrukturë të inteligjencës artificiale.
Ky rrjet dyshohet se kishte ngritur qendra të dhënash në vende si Malajzia, të cilat mund të aksesoheshin në distancë nga klientë kinezë, përfshirë grupin Alibaba. Në raport përmendet edhe Alice Huang, e lidhur me CEO-n e Nvidia-s, e cila punonte në kompaninë Megaspeed. Si kjo e fundit, ashtu edhe Super Micro janë nën hetim nga autoritetet amerikane për dyshimet mbi kontrabandimin e mikroçipave drejt Kinës. Megaspeed ka deklaruar se respekton ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe se ka angazhuar këshilltarë ligjorë të jashtëm për të shqyrtuar akuzat. Ndërsa Super Micro ka bërë të ditur se po bashkëpunon me autoritetet dhe ka ndërprerë marrëdhëniet me individët e akuzuar. Deri më tani, akuzat për kontrabandimin e çipave janë objekt i hetimeve dhe nuk përbëjnë prova të një përgjegjësie penale për të gjithë personat apo kompanitë e përmendura në raportim.
