Zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë diskutuar mundësinë e përdorimit të një ligji të miratuar gjatë Luftës së Ftohtë për të ushtruar presion mbi bordin drejtues të Nvidia-s, me qëllim rikthimin e Jensen Huang në postin e drejtorit ekzekutiv të kompanisë. Lajmi është raportuar nga The Washington Post, duke iu referuar tre burimeve të njohura me diskutimet.

Sipas raportimit, bisedimet janë zhvilluar gjatë fundjavës dhe kanë përfshirë Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe zëvendësin e tij, Steve Feinberg. Ky i fundit argumentoi se Nvidia ka një rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Në qendër të diskutimeve ishte Akti i Prodhimit të Mbrojtjes (Defense Production Act – DPA), i miratuar në vitin 1950, i cili i jep presidentit amerikan kompetenca të gjera për të ndërhyrë në ekonominë e vendit, veçanërisht në situata lufte ose emergjence. Ligji është përdorur edhe më parë për të mobilizuar kompanitë private në përmbushjen e nevojave të ushtrisë amerikane. Gjatë mandatit të parë të Donald Trump, ai u aktivizua për të nxitur prodhimin e ventilatorëve nga General Motors, në kulmin e pandemisë së COVID-19.

Si synohej të ushtrohej presion mbi Nvidia-n?
Sipas burimeve të cituara nga The Washington Post, zyrtarët amerikanë shqyrtuan mundësinë e përdorimit të ligjit për të ndikuar te bordi drejtues i kompanisë. Edhe pse DPA nuk parashikon një mekanizëm të drejtpërdrejtë për emërimin apo rikthimin e një drejtori ekzekutiv në një kompani private, administrata thuhet se e konsideroi atë si një instrument presioni. “Arsyetimi ishte se mund ta përdornin ligjin për ta detyruar Nvidia-n të orientonte më shumë nga prodhimi i saj drejt programeve ushtarake”, tha një zyrtar i administratës Trump, në kushte anonimiteti.

Një ndërhyrje e tillë mund të kishte pasoja për planifikimin e prodhimit dhe fitimprurësinë e kompanisë, e cila është një nga prodhueset më të rëndësishme të çipave në botë. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse propozimi iu paraqit zyrtarisht presidentit Donald Trump apo zëvendëspresidentit J.D. Vance, dhe as se çfarë iu komunikua përfundimisht drejtuesve të Nvidia-s. Sipas raportimit, Trump dhe zëvendëspresidenti Vance kishin arritur në përfundimin se rikthimi i Huang ishte i rëndësishëm si për ekonominë amerikane, ashtu edhe për stabilitetin e tregjeve financiare. Ndërsa zhvillimet që çuan në largimin e tij nga drejtimi i Nvidia-s po shkaktonin lëvizje në tregun e aksioneve, Trump i kërkoi personalisht Vance të angazhohej në negociatat për rikthimin e tij.

Kontaktet e koordinuara të zyrtarëve të administratës gjatë fundjavës përfshinë edhe Hegseth dhe Feinberg. Sipas të njëjtit raportim, Jensen Huang u rikthye në pozicionin e drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s të hënën në mëngjes. Nga ana tjetër, një burim i njohur me qëndrimin e bordit të kompanisë tha se komentet e zyrtarëve qeveritarë për rëndësinë e Huang në sigurinë kombëtare nuk ishin interpretuar si kërcënim. Pentagoni i ka mohuar kategorikisht raportimet. Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes deklaroi se diskutimet e përshkruara nuk kishin ndodhur dhe se asnjë propozim i tillë nuk ishte bërë nga sekretari, zëvendëssekretari apo nënsekretari i Mbrojtjes. Edhe Nvidia nuk pranoi të komentonte.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur Pentagoni po e vendos inteligjencën artificiale në qendër të strategjisë së tij ushtarake. Nën drejtimin e Pete Hegseth, Departamenti i Mbrojtjes ka kërkuar përshpejtimin e integrimit të teknologjive të inteligjencës artificiale në ushtrinë amerikane. Në një memorandum të publikuar më herët gjatë këtij viti, Hegseth bëri thirrje për transformimin e ushtrisë në një forcë të mbështetur te inteligjenca artificiale, duke paralajmëruar se këto teknologji do të ndryshojnë rrënjësisht natyrën e luftës dhe të operacioneve ushtarake gjatë dekadës së ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: