Ministria e Punës dhe Pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar është bërë objekt i një sulmi kibernetik, duke detyruar institucionin të pezullojë përkohësisht disa prej shërbimeve të tij online, si masë paraprake. Lajmi u bë i ditur nga vetë ministria, përmes një deklarate zyrtare, ku thuhet se po bashkëpunohet ngushtë me agjencitë qeveritare të specializuara për sigurinë kibernetike, përfshirë Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC).

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar natyrën dhe përmasat e incidentit, ndërsa po punohet për rikthimin e shërbimeve online në funksion sa më shpejt të jetë e mundur. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi autorët apo objektivat konkrete të sulmit.

Ngjarja vjen në një periudhë kur kërcënimet kibernetike dhe ndërprerjet e shërbimeve digjitale janë shtuar në nivel global. Britania e Madhe është përballur edhe më parë me sulme të ngjashme. Gjatë vitit të kaluar, mes kompanive dhe institucioneve të prekura ishin prodhuesi i automjeteve Jaguar Land Rover, rrjeti i dyqaneve Marks & Spencer, Harrods dhe Co-op. Ndërsa në gusht, shënjestër e sulmeve kibernetike u bënë edhe tre aeroporte britanike të menaxhuara nga Manchester Airports Group.

Ndërkohë, shërbimet britanike të sigurisë kanë lëshuar këtë javë një paralajmërim për rrezikun e sabotimit rus ndaj kompanive me seli në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat furnizojnë me pajisje dhe armatime ushtrinë ukrainase. Atyre u është kërkuar të forcojnë mbrojtjen dixhitale dhe të marrin masa për identifikimin e hershëm të aktiviteteve armiqësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb