Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ka mundësi të përfundojë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm, duke e renditur vendin mes shteteve që po shënojnë përparim në procesin e integrimit.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Kos theksoi se procesi i zgjerimit është tashmë në lëvizje dhe se Mali i Zi ndodhet pranë përfundimit të negociatave, ndërsa Shqipëria mund të arrijë të njëjtin objektiv vitin e ardhshëm.
Ajo nënvizoi se integrimi europian bazohet në meritë dhe se vendet që përmbushin reformat do të vlerësohen, ndërsa ato që nuk bëjnë progres nuk do të përfitojnë nga fondet e Planit të Rritjes.
“Ne jemi të gatshëm të shkelim pedalen e gazit, por duam të shohim progres real. Integrimi është i bazuar në merita”, deklaroi Kos.
Komisionerja u bëri thirrje edhe vendeve të tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, që të vijojnë zbatimin e reformave për të përparuar drejt BE-së.
Sipas saj, zgjedhjet politike dhe vendimet e udhëheqësve të vendeve të rajonit do të përcaktojnë edhe rrugëtimin e tyre europian. Kos theksoi se integrimi gradual sjell përfitime të rëndësishme, përfshirë sigurinë ekonomike, por kërkon rezultate konkrete.
Gjatë konferencës, Marta Kos u ndal edhe te potenciali ekonomik i Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një pikë të rëndësishme në rrugët tregtare globale, që lidhin Europën me Turqinë dhe Azinë.
Sipas saj, ky pozicion gjeografik mund ta kthejë rajonin në një zonë tërheqëse për investitorët, nëse vendet arrijnë të bashkëpunojnë dhe të garantojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Ajo përmendi gjithashtu zhvillimet politike në Serbi dhe zgjedhjet në Bosnjë-Hercegovinë, duke shprehur shpresën se ato do të kontribuojnë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
“Ka shumë fusha ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët”, u shpreh komisionerja.
Në përfundim, Kos theksoi se Bashkimi Europian është i angazhuar për të përfunduar procesin e zgjerimit dhe për të sjellë vendet e rajonit brenda familjes europiane.
“Ne do të kemi edhe paratë që do të marrin vendet tuaja nga BE-ja. Ne duam ta përfundojmë këtë proces dhe t’ju sjellim në BE tani”, deklaroi Marta Kos.
