Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila pranoi padinë e deputetëve të opozitës dhe shfuqizoi vendimin për përjashtimin 60-ditor të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut nga punimet parlamentare.

Në reagimin e tij, Gjekmarkaj i ka cilësuar masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës si të paligjshme dhe të padrejta, duke i konsideruar ato një instrument të mazhorancës për të kufizuar zërin e opozitës në Parlament. “Masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës kanë qenë të paligjshme, të padrejta dhe një instrument i pastër represioni politik i mazhorancës për të mbytur zërin e opozitës në Parlament”, shprehet Gjekmarkaj.

Ai e ka cilësuar vendimin e gjykatës si një fitore për betejën e opozitës kundër hartës elektorale territoriale. “Sot, drejtësia foli! Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë pranoi padinë tonë dhe shfuqizoi vendimin për përjashtimin 60-ditor të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, duke i dhënë të drejtë betejës sonë kundër hartës elektorale territoriale”, thuhet në reagimin e tij.

Gjekmarkaj ka paralajmëruar se opozita do të vijojë betejën edhe për 11 deputetët e tjerë, të cilët janë ndëshkuar me masa të ngjashme disiplinore. “Dhe kjo është vetëm fillimi! E njëjta gjë do të ndodhë edhe me 11 deputetët e tjerë të opozitës, të cilët janë ndëshkuar me të njëjtën logjikë përjashtimi dhe represioni”, thekson ai.

Në përfundim, nënkryetari i Kuvendit ka deklaruar se masat e përjashtimit nuk mund të pengojnë përfaqësimin e qytetarëve dhe ushtrimin e të drejtave të opozitës. “Mazhoranca dhe qeveria mund të përpiqen të mbyllin gojën e opozitës, të përjashtojnë deputetët nga seancat dhe komisionet, të pengojnë fjalën dhe përfaqësimin e qytetarëve, por nuk mund ta shuajnë dot zërin e opozitës.”

Ai ka shtuar se frika nga denoncimi dhe qëndresa e opozitës nuk mund të justifikojë cenimin e të drejtave të deputetëve dhe funksionimit demokratik të Parlamentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb