Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar krijimin e një partie të re politike nga një grupim studentësh, duke sqaruar se kjo nismë nuk ka lidhje me Forumin e Dialogut Politik, ku ai është i angazhuar.

Hasimja tha se ka pasur një nxitje nga studentët për krijimin e kësaj force politike, ndërsa theksoi se aktualisht ekzistojnë edhe dy grupime të tjera të mëdha studentore të organizuara.

Sipas tij, organizimi i studentëve në grupe të ndryshme është një praktikë normale, duke sjellë si shembull edhe vendet europiane, ku grupime të tilla bashkohen kur kanë objektiva të përbashkëta.

“Nuk jam ftuar ta mbështes. Për mua është gjë normale, sepse ka grupe të ndryshme që kanë qëllimet e tyre. Ne po përpiqemi me Forumin e Dialogut Politik të ndihmojmë studentët, pavarësisht grupit ku bëjnë pjesë”, u shpreh Hasimja.

Ai sqaroi se nuk ka pasur bashkëpunim mes forumit dhe partisë së sapokrijuar, megjithëse ka pasur kontakte me disa individë të këtij grupimi.

“Me këtë parti nuk kemi pasur kontakt. Kam pasur kontakt me individë, 2-3 nga ky grupim, por nuk ka lidhje me ne si forum”, deklaroi politologu.

Duke komentuar vendimin e studentëve për të hyrë në politikë përmes krijimit të një partie, Hasimja tha se kjo nismë vjen në një moment kur ata po mendojnë të ndërmarrin hapa konkretë politikë.

Ai nënvizoi gjithashtu se krijimi dhe funksionimi i një partie politike kërkon angazhim të konsiderueshëm, duke përfshirë mbledhjen e firmave, sigurimin e financimit dhe ndërtimin e strukturave organizative.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb