Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila shpalli të paligjshëm përjashtimin e tij dhe të deputetit Klevis Balliu nga punimet e Kuvendit.

Në një reagim, Bardhi e cilësoi ndalimin e deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në seancat parlamentare si një akt arbitrar dhe shkelje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Administrative konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese është një shkelje që nuk mund të justifikohet.

Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po synon të krijojë një Kuvend pa opozitë dhe një pushtet pa zë kritik, duke e krahasuar mënyrën e qeverisjes me mentalitetin e partisë-shtet.

“Projekti politik i Edi Ramës duket se është një Kuvend pa opozitë, një pushtet pa zë kritik dhe një Shqipëri e nënshtruar ndaj vullnetit të një njeriu të vetëm. Por demokracia nuk është pronë e kryeministrit dhe Kuvendi nuk është oborri i tij personal!”, deklaroi Bardhi.

Ai u ndal edhe te tre personat që, sipas tij, firmosën vendimin për pengimin e deputetëve të opozitës, Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla. Bardhi paralajmëroi se ata do të mbajnë përgjegjësi para drejjtësisë.

“Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Në vijim, Bardhi theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga përfaqësimi i qytetarëve dhe se vendimi i Gjykatës Administrative duhet të shërbejë si një sinjal se askush nuk mund të vendoset mbi ligjin.

Ai e mbylli reagimin duke përsëritur se Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e kryeministrit dhe se demokracia nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb