Një Kampionat Botëror gjithnjë e më i madh dhe gjithëpërfshirës. Është kjo ideja e presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, i cili propozon një manifestim me 48 kombëtare duke nisur nga edicioni 2026.
“Më shumë vende dhe rajone në mbarë botën do të ishin më të lumtura”, deklaroi ish-sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s gjatë një ligjërate në Universitetin “Serxho Arboleda” të kryeqytetit kolumbian Bogota.
Në fakt, zvicerani pati premtuar zgjerimin e Kupës së Botës me 40 ekipe para zgjedhjes së tij në krye të qeverisë botërore të futbollit në shkurt të këtij viti. Por tani ai shkon një hap më tej, duke shpjeguar idenë e tij: “Me 40 skuadra nuk dalin llogaritë, ndaj duam të përfshijmë 48. Ideja është që 16 të shkojnë direkt në fazën e grupeve, kurse 32 të tjerat të marrin pjesë në një turne paraeliminator në vendin organizator, nga ku do të dalin 16 ekipet e tjera pas përballjeve direkte”.
Në këtë mënyrë do të kishim sërish një kuadër me 32 finaliste, duke ndryshuar më tepër fazën kualifikuese sesa vetë Botërorin. Megjithatë, Infantino thotë se me formulën e re “do të jenë 48 vende që do të marrin pjesë në festë. Duam ta zhvillojmë futbollin, dhe Kupa e Botës është ngjarja më e madhe. Më shumë se një garë, është një ngjarje sociale”, theksoi 46-vjeçari.
Propozimi i kreut të FIFA-s për Botërorin 2026 do të diskutohet gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të FIFA-s më 13 dhe 14 tetor në Zyrih, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret brenda vitit të ardhshëm. /panoramasport/
(el.sp/BalkanWeb)
