TIRANE- Zbardhet paketa fiskale për vitin e ardhshëm, që do të sjellë uljen e akcizës së duhanit të grirë, nuk do të ketë rritje të akcizës së cigareve, vendosjen e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat, uljen e rentës minerale dhe ndryshimin e çmimit për taksimin e makinave të luksit. Detajet e paketës së re fiskale u njoftuan dje nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Kreu i Financave informoi edhe për përfshirjen për herë të parë në skemën e rimbursimit të barnave të 600 mijë qytetarëve. Ahmetaj tha se nuk do të ketë taksë të re për shtëpitë, por vetëm ndryshim të formulës të rillogaritjes për miradministrimin e të ardhurave.
GAZI
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria do të aplikojë akcizë edhe mbi gazin e lëngshëm të makinave. Me paketën e re fiskale llogaritet që akciza që do të vendoset për gazin e lëngshëm vetëm për automjetet do të jetë 10 deri në 12 lekë për litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar. Deri më sot, gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjetik. Sipas të dhënave që jepen në paketën fiskale, llogaritet që importi vjetor i këtij produkti të jetë 100 mijë tonë në vit. Ndërsa sipas ministrit të Financave do të ulet akciza për duhanin e grirë të brendshëm dhe nuk do të rritet akciza e cigareve.
MAKINAT
Me paketën e re fiskale do të ndryshojnë taksat për makinat e luksit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi se do të ulet niveli i
çmimit të makinave që konsiderohen si makina luksi, nga 7 milionë lekë që është aktualisht, në 5 milionë lekë. E thënë ndryshe, nëse
taksa për makinat e luksit paguhet për ato makina që kanë një kapacitet motorik prej 3 mijë kubikësh dhe me çmim 7 milionë lekë,
tashmë kjo taksë do të paguhet për makinat me fuqi motorike me 3000 cc dhe me vlerë mbi 5 mijë lekë.
ILAÇET
Shtohet numri i qytetarëve që do të përfitojnë nga skema e ilaçeve të rimbursueshme. Ministri Ahmetaj informoi se numri i përfituesve për
barnat e rimbursueshme do të rritet me 600 mijë përfitues të rinj. “Buxheti i vitit 2017 merr përsipër të rimbursojë listën e aprovuar të
ilaçeve të rimbursueshme për të gjithë shqiptarët. Deri dje kjo ka qenë e kategorizuar, ku përfitues ishin pensionistët apo shtresa të
tjera në nevojë. Me këtë politikë të re, 600 mijë shqiptarë të mbetur jashtë futen brenda skemës për të përfituar rimbursimin e ilaçeve
brenda listës së aprovuar”, tha Ahmetaj.
TAKSA E PRONËS
Nuk do të ketë ndryshim për taksën e shtëpive. Ministri i Financave, Ahmetaj, sqaroi se do të forcohen instrumentet për miradministrimin
e kësaj takse, ndërsa niveli i taksimit do të vazhdojë të mbetet i njëjtë.
“Taksa e pronës nuk ka filluar, ka një jetë që është atje, por është më e ulëta e mbledhur. Ne duam të forcojmë instrumentet e taksave,
duke filluar një proces të kadastrës fiskale. Është e papranueshme që qytete si Tirana, Korça, Durrësi mos ta kenë zgjidhur këtë problem. Ne
do të krijojmë 4 projekte pilote, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, për të bërë hapin e parë të kadastrës fiskale të
vlerës dhe pastaj instrumenti mbledhës të funksionojë me kuadrin aktual të legjislacionit për taksën e pronës të funksionojë për të rritur
të ardhurat”, tha Ahmetaj.
FALJA E GJOBAVE
Për ligjin e faljes, Ahmetaj përsëriti se për periudhën nga 1 janari 2011 deri në dhjetor të 2014s do të përfitojnë falje të gjobave ato
biznese që paguajnë detyrimet. “Jemi në proceset përfundimtare të konsultimit me FMNnë për draftligjin. Unë ju kam ritheksuar dhe e theksoj prapë se nuk do të
ketë falje borxhi për sa i përket periudhës 1 janar 2011 deri 31 dhjetor 2014, por do të ketë një lehtësim; kush paguan detyrimin, i falet gjoba. Të vetmet gjoba që do të falen janë ato që ka premtuar me të drejtë qeveria, që kanë të bëjnë me gjenerimin nga sistemi i tatimeve në muajin qershor për punëmarrësit”, tha Ahmetaj.
(PANORAMA)