NGA: ORNELA MANJANI
Vendimi i Gjykatës nuk e prek vendimin ekonomik të vendimeve të për 26 mijë dosje. Ndërsa nga 11 mijë dosjet që janë në proces shqyrtimi do të preken vetëm ato raste kur ndryshon zëri kadastral nga momenti i shpronësimit në zërin kadastral aktual. Ky është shpjegimi që jep Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Trajtimit të Pronave në lidhje me pasojat që do të ketë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për 37 mijë dosjet e ish-pronarëve që ndodhen në agjenci. Qato ka shpjeguar ndryshimet që ndodhin në ligjin e pronave pas vendimit të Kushtetueses. “Formula e re e vlerësimit të pronave nuk ndryshon. Konfirmohet qëndrimi i përsëritur i qeverisë se aty ku prona është e lirë i kompensohet fizikisht e plotë pronarëve, natyrisht e vlerësuar sipas ligjit të ri. Shfuqizimi i pikës 3 të nenit 6 nuk sjell asnjë pasojë lidhur me metodologjinë e vlerësimit financiar të pronave të njohura për kompensim deri më sot. Kompensimi i pronarëve do të vijojë sikurse është nisur që në fillim të këtij procesi pa cenuar asnjë element të vlerësimeve të bëra publike deri më tani”-tha Qato.
“Marrja dijeni mbi shfuqizimin e pikës 5 të nenit 6 të ligjit, e vendos ligjin përpara cenimit të parimit kushtetues të trajtimit të barabartë të pronarëve përpara ligjit, vetëm për sa u përket pronave të cilave u ka ndryshuar zëri kadastral i pronës nga origjina deri më sot, pasi pronarëve që kompensohen vlerësimi u bëhet në zërin e origjinës, ndërsa pronarëve që përfitojnë kompensimin fizik në pronën e njohur e përfitojnë të plotë në zërin aktual. Jemi shumë të interesuar në këtë pikë, të njihemi me arsyetimin që do të bëjë Gjykata Kushtetuese në zbardhjen e këtij vendimi, sidomos mbas opinionit pozitiv të Komisionit të Venecias mbi ligjin e trajtimit të pronave dhe përfundimit të procesit të kompensimit. Vetëm nëpërmjet leximit të arsyetimit që Gjykata do të bëjë, do të kuptohet edhe nëse do të ketë apo jo ndërhyrje të tjera në ligj”-deklaroi Drejtoresha e ATP-së.
Kompensimi do të bëhet me vlerën e momentin të konfiskimit apo me vlerën e tregut tani
Ndryshimet e bëra dje nga Gjykata Kushtetuese, nuk e prekin thelbin e formulës që parashikon ligji. Mbetet në fuqi vlerësimi ekonomik për kompensim në momentin e tyre të shpronësimit. Kjo është shumë e rëndësishme për pronarët, pasi gjithë procesi nuk cenohet dhe siç e kemi nisur punën në fillim të këtij viti do ta vijojmë.
Ndryshimi në nenin 6, çfarë efektesh do të sjellë?
Në çdo dalje publike që kemi bërë dhe në çdo sqarim në kemi thënë se do të kryhet kompensimi fizik në pronën e njohur pronarëve, të cilët kanë pronën e lirë. Ndryshimi i bërë dje prek vetëm ato prona që u ndryshon zëri kadastral. Vetëm ato prona që në momentin e shpronësimit kanë pasur një zë tjetër kadastral nga aktuali. Vazhdon fryma, kur prona është e lirë u kompensohet fizikisht pronarëve.
Në dy pikat e ndryshuara si do të veprohet?
Nuk duhet të nxitohemi derisa të zbardhet vendimi. Nga ajo që kemi kuptuar nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese është fakti se metodologjia për vlerësimin e pronës nuk ka ndryshuar. Mënyra se si do të argumentojë gjykata do të na udhëheqë nëse duhen bërë ndryshimet në këtë ligj apo jo.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë efekt vetëm në 11 dosjet që janë në shqyrtim apo edhe në 26 mijë vendime për njohje?
Vendimi i Gjykatës nuk e prek vendimin ekonomik vendimeve të vendosura për 26 mijë dosje. Ndërsa nga 11 mijë dosjet që janë në proces shqyrtimi do të preken vetëm ato raste kur ndryshon zëri kadastral nga momenti i shpronësimit në zërin kadastral aktual.
(Gazeta Shqiptare)
