NGA VALENTINA MADANI
TIRANE– Parlamenti zgjodhi dje me votim të fshehtë elek tronik anëtarët e Autoritetit për Informimin për Dosjet e Sigurimit. Në votim nuk mori pjesë Partia Demokratike, edhe pse në listën e kandidatëve ajo kishte propozuar Selami Zallin. Ndërsa deputetët e opozitës braktisën sallën, mazhoranca miratoi fillimisht kandidaturën e Gentiana Sulës, e propozuar nga Këshilli i Ministrave. Ajo mori 77 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Ndërsa në votimin e për kandidaturat e propozuara nga tri partitë kryesore, ku nga 3 emra do të miratoheshin dy më shumë vota morën kandidatët PS dhe LSI.
Altin Hoxha, i propozuar nga LSI mori 76 pro, një kundër, tri abstenim, kurse Mariglen Kasmi i propozuar nga PS mori 77 pro dhe tri kundër. Ndërsa, kandidati i propozuar nga PD, Selami Zalli mori nëntë pro, 67 kundër dhe katër abstenim. Dy anëtarët e tjerë të Autoritetit për Informimin për Dosjet e Sigurimit u propozuan përkatësisht Daut Gumeni nga shoqatat e të përndjekurve, që mori 76 pro e tri kundër dhe Simon Mirakaj, i propozuar nga shoqatat për të drejtat e njeriut, që u miratua po me 76 vota pro dhe tri kundër.
Por, në debatin e djeshëm për hapjen e dosjeve u përfshinë dhe deputetët Ben Blushi e Mesila Doda. Deputeti Ben Blushi akuzoi PS-në dhe PD-në se nuk kanë vullnet për të hapur dosjet. Sipas tij, dosjet e ish-Sigurimit janë kapital për të ndëshkuar kundërshtarin, ndaj nuk do hapen. Duke e cilësuar ligjin për hapjen e dosjeve të politizuar, Blushi tha: “Jo vetëm që procesi i dosjeve do të jetë totalisht selektiv, por edhe më shumë se kaq. Po si mendoni ju se mendojnë shqiptarët, kur nuk hapëm dosjet e 50 viteve të diktaturës, do hapim dosjet e 30 viteve xhungël kapitaliste?! E beson njeri këtë? Mund të kishim hapur dosjet e diktaturës pa penalizuar njeri, përveç atyre që kanë bërë krime. Po kush beson që kur nuk hapëm dosjet e atyre viteve, do hapim këto tani?!”, u shpreh Blushi.
“Me reformën në drejtësi, se nuk bëmë drejtësi kur e kishim mundësinë dhe ata që kishin qeverisur para nesh, e do bëkemi drejtësi popullore apo drejtësi të kualifikuar me reformën në drejtësi të këtyre 25 viteve. Askush nuk e beson. Prandaj, besoj se ky parlament është jo produktiv dhe çdo normë që kalon nuk e zbaton. Prandaj, kam arsye të besoj se ky parlament është ndërtuar për të mos bërë asnjë punë”, deklaroi deputeti.
“Mund të kaloni një ligj për dosjet, siç e keni kaluar, edhe mund të votoni autoritetin që bën të mundur hapjen e dosjeve, por do të jetë totalisht i pabesueshëm dhe nuk beson njeri dot që po hapni një bunker dhe nuk po hapni dot dosjet e atyre që bënë bunkerin dhe kjo nuk ka kuptim. Të hapni bunkerin e Enverit, por nuk hapni dosjet e Enverit. A mund të ndodhë kjo? Kjo nuk mund të ndodhë pra. Hapim bunkerët që ka bërë Enveri poshtë bulevardit dhe shtëpinë me gjethe, pavarësisht se shumë të shëmtuara”, nënvizoi deputeti Blushi.
“Se ky bunkeri që donin të prishnin këta me kaçavida është i tmerrshëm, në fakt, në mes të Tiranës, është një katastrofë. Keni ndërtuar një bunker të tmerrshëm aty. Mund ta kishit bërë atë hyrje me një mënyrë tjetër, por jo me një bunker, bunkerët na kanë lodhur”, shtoi Blushi.
Deputeti i cilësoi të politizuara të gjitha kandidaturat e propozuara nga partitë për Autoritetin për Informimin për Dosjet e Sigurimit. Gjithashtu, në këtë seancë Kuvendi miratoi dhe anëtarin më të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste kishte propozuar dy emra, ku Bledar Skënderi mori më shumë vota duke u bërë pjesë e KQZ-së. Skënderi u votua me 74 vota pro, katër kundër dhe dy abstenim. Ndërsa kandidati tjetër Erik Skëndaj, mori vetëm tri vota pro, 36 kundër dhe 38 abstenim.
LIGJI, HAPAT PËR HAPJEN E DOSJEVE TË SIGURIMIT
interesuar për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
– Në objektivat e projekt-aktit parashikohet përcaktimi i rregullave për procesin e mbledhjes, administrimit dhe përdorimit të dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit; krijimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e autoritetit të posaçëm për zbatimin e këtij ligji; bashkëpunimin midis institucioneve për identifikimin e dokumenteve; procedurat e mundësimit të aksesit të individëve tek të dhënat që ish-Sigurimi i Shtetit ka ruajtur për ta dhe të aksesit të institucioneve publike dhe organizmave joshtetërore, për qëllime përdorimi që burojnë nga ky ligj dhe legjislacionet e fushat e veprimtarisë përkatëse.
– Projektligji parashikon: Garantimi i transparencës, të drejtës për informimin dhe mundësitë e aksesit të informacioni, pa shkelur të drejtën kushtetuese për jetë private e duke mbajtur në konsideratë rregullat në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe përmban elementë të lustracionit, në masën që kjo është e lejueshme nga Kushtetuta dhe jurisprudenca e gjykatës.
-Projektligji, në një prej hapave, parashikon ngritjen e Autoritetit për Informimin me të Dhënat e ish- Sigurimit të Shtetit si person juridik publik, i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, i cili do të ketë në përbërje 5 anëtarë, të cilët do zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral, të cilët ndër të tjera, duhet të përmbushin edhe kriterin e pastërtisë së figurës.
-Në hapin e tretë përcaktohet procesi i mbledhjes së dokumenteve, proces i cili do të funksionojë në dy mënyra: në vënien në dijeni të Autoritetit nga autoriteti publik apo arkiva kur këto konstatojnë se zotërojnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit dhe me kërkesë të Autoritetit, kur ky ka arsye të mendojë se dokumente të caktuara mund të gjenden pranë një autoriteti publik apo arkive.
-Hapi i katërt konstaton në të drejtën për informim, ku përcaktohen rregullat dhe procedurat e detajuara për garantimin e të drejtës për informim për personat për të cilët ish-Sigurimi i Shtetit ka mbledhur të dhëna; bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit; të favorizuarit; rrethin e trashëgimtarëve të këtyre të fundit; institucionet; të interesuarit për qëllime hulumtuese, historike e të rivlerësimit politik dhe median.
-300 milionë lekë do të shkojnë në vit për hapjen e dosjeve të spiunëve. Projektligji i qeverisë implikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit, që lidhen me kostot e krijimit dhe funksionimit të një institucioni të ri, e konkretisht të Autoritetit si organ me 5 anëtarë dhe të Sekretariatit Teknik, si stafi mbështetës i tij me numër organik që do të miratohet nga Kuvendi pas hyrjes në fuqi të ligjit. Fusha e veprimit shtrihet tek dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të periudhës 29 nëntor 1944 deri 31 mars 1991.
(Gazeta Shqiptare)
