TIRANË

Deputeti i LSI-së Petrit Vasili ka folur sot në “Open” në News24 për çështjen e personazhit I.M. në dosjet e sigurimit të shtetit, për të cilin u aludua se ishte ish-presidenti Ilir Meta. Vasili tha se jemi në kufijtë e një absurdi të pazakonshëm.  Sipas tij, është dhunuar në mënyrë mafioze ligji dhe se Ilir Meta është verifikuar nga dy komisione të mëparshme.

Nuk ka munguar dhe ironia me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila u shpreh sot e tronditur nga ajo që kishte publikuar Autoriteti i Dosjeve.

“Në themel është një email anonim, mbi bazën e të cilit u vu në lëvize autoriteti. Ligji thotë qartësisht ndalohet përdorimi i të dhënave kur janë përfituar në mënyrë të fshehtë apo të paligjshme. Ligji është bërë nga mazhoranca, është votuar nga ne të gjithë. Ligji u bë me qëllim që manipulimi, konfuzioni të evitohej. Në këtë rast autoriteti është vënë në lëvizje vetë. Edhe një letër e firmosur me emër dhe mbiemër, Autoriteti duhet të bëjë verifikimin deri në fund, siç ligji e kërkon. Një email anonim, abuziv, pa dokumente është thjesht dhe vetëm një turp ata që sajuan lojën, konfuzionin dhe shkaktojnë një furtunë në gotë. I.M. që të jemi një këmbë jashtë dhe një këmbë brenda. U hodh në media sikur janë 140 faqe. Një tollovi që ka tronditur kryetaren e Kuvendit, e cila nuk është tronditur asnjëherë kur në Kuvend kanë ardhur dokumente për korrupsionin. Është dhunuar çdo lloj ligji dhe çdo lloj norme. Në çdo element është dhunuar në mënyrë mafioze ligji.

Në të njëjtën ditë kur bëjnë gjoja se shqyrtojnë e-mailin anonim, autoriteti i dosjeve në media u hodh ky dokument, për të krijuar perceptimin sikur ka një dosje. U përpoqën të lidhin këto çështje për të mbushur boshllëkun. Fabula me emailin anonim nuk mbante dhe u krijua kjo. Dy komisione të njëpasnjëshme me autoritet të pakufizuar për të parë dosjen, qoftë komisioni Mezini, qoftë Bezhani, madje janë kritikuar për këtë. Në 1996 nxori nga skena një personazh të PS-së. Këto verifikime u bënë dy herë dhe për më tepër në respekt të ligjit pati një prononcim nga vetë autoriteti kur z. Meta kandidonte për t’u bërë President i Republikës.

Nuk e kam mbajtur dot të qeshurën, m’u kujtua Jovan Bregu me ato anonimet. Por me gjithë të qeshurën kjo ishte mënyra me anonime si funksiononte sigurimi para 1990. Autoriteti ka përgënjeshtruar të gjitha informacionet e dala nga mediat”, deklaroi Vasili.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb