NGA: ILIR SINANAJ
Asbesti është një nga 6 mineralet e silikatit që gjenden në natyrë. Nxjerrja e tij nga toka nisi para rreth 4000 vitesh. Veprimtaria industriale e nxjerrjes së asbestit u përshkallëzua ne fund të viteve 1800, kur ndërtuesit filluan ta shfrytëzonin këtë mineral për vetitë e veta, si amortizimi dhe mbytja e zhurmave, qëndrueshmëria ndaj forcës tërheqëse, rezistenca ndaj zjarrit, nxehtësisë dhe elektricitetit. Asbesti është një material që nuk kushton shumë. Për rrjedhojë për gjatë shekullit të 20 ai u përdor gjerësisht për izolimin e pajisjeve elektrike dhe të ndërtesave.

Efektet e para negative të asbestit për shëndetin u konstatuan në vitin 1899, në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa dokumentimi i vdekjes së parë shkaktuar prej tij u bë në vitin 1906. Kërkuesit shkencorë konstatuan një numër të vdekjesh të parakohshme dhe problem shëndetësore të lidhura me mushkëritë nëpër qytete ku kishte miniera të asbestit. Hetimi për efektet e asbestit në shëndet u kryen edhe në Francë dhe Itali, përkatësisht në vitet 1906 dhe 1908.

Sëmundja asbestoza shkakton një fryrje dhe korëzim të indeve të mushkërive, që rrit ndjeshëm mundësinë e kancerit në mushkëri. Në vitin 1930, Parlamentit britanik iu paraqit një raport ku argumentohej shkencërisht se asbestoza lidhej me thithjen për një kohë të zgjatur të pluhurit të asbestit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shfaqja e sëmundjeve vite më vonë tek njerëz që kishin pasur kontakt me materiale me përmbajtje asbesti, ka bërë që proceset gjyqësore që lidhen me efektet e asbestit, të jenë nga më të gjatat dhe më të shtrenjtat në historinë e këtij vendi.

Qeveria e SHBA-ve dhe industria e asbestit janë kritikuar që nuk kanë vepruar në kohë për të informuar publikun për rreziqet, si edhe për të ulur ekspozimin ndaj kësaj lëndë. Dokumente gjykate të fundviteve 1970 provojnë se zyrtarët e industrisë së asbestit i dini rreziqet që në vitet 1930 dhe këtë informacion ia kishin fshehur publikut. Në vitet 1970, në Australi filloi të kishte një shqetësim publik në rritje për rrezikun e asbestit dhe në vitin 1983 minierat e asbestit u mbyllën. Në dhjetor të vitit 2003 asbesti u ndalua tërësisht në Australi, por pas vitit 1980 ai u ndalua edhe në shumë vende të tjera.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: