Etrit Berisha, gardiani i Kombëtares dhe Atalantës pas shumë kohësh është kthyer në stërvitje. Portieri ditën e djeshme është parë në qendrën stërvitore të “bergameskëve” dhe ka nisur punë i diferencuar. Berisha pritet të vihet në dispozicion të klubit në muajin janar pas problemeve që pati me gjurin.
Atalanta është befasuar me aftësitë e shqiptarit dhe kërkon ta ketë në mënyrë përfundimtare në rradhët e saj, pasi ai është i huazuar nga skuadra e Lacios. Vlera e portierit konsiderohet jo më pak se 5-së mln euro nga klubi lacial. Për buxhetin e Atalantës është disi i kushtueshëm.
Gjithsesi zgjidhja me shumë mundësi do të vijë në një mënyrë tjetër. Lacio po kërkon që të përforcojë sulmin dhe synimi është Alberto Poloski i Atalantës. Kështu një shkëmbim i mundshëm mes dy lojtarëve mbetet i hapur për të përforcuar ekipet respektive.
Sidoqoftë Atalanta duket e bindur për të patur në rradhët e saj një portier me aftësitë e Berishës. Një lajm i mirë ky për gardianin që kërkon të ketë sa më shumë minuta në fushën e lojës, gjë e cila ishte më e kufizuar tek Lacio.
(e.k/BalkanWeb)