TIRANE – 28 Shkurti shënon nisjen e provimit për infermierët në rang vendi. Me përjashtim të atyre që janë në prag të daljes në pension dhe ata që janë lincencuar nga Urdhri i Infermierit, pas 1 janarit 2014, të tjerët do t’i nënshtrohen testimit. Infermierët zgjedhin të flasin hapur në “News24” përballë gazetares Ola Bruko.
Një javë para datës së parë të vlerësimit të aftësive të infermierëve emisioni “Njerëz në Fokus” ka testuar i pari këta punonjës të sistemit shëndetësor, ndërkohë që rezultatet duket se janë tronditëse.

Vetëm 2 nga dhjetë infermierë të testuar kanë zgjidhur mirë 100% saktë tezën e hartuar nga stafi i emisionit “Njerëz në Fokus”, ndërkohë që 80% e tyre kanë gabuar në dhënien e përgjigjeve.

Teza u hartua sipas parimit që do të hartohet ajo e provimit të infermierëve, çka do të thotë se nga 551 pyetje që përmban fondi i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, zgjodhëm në mënyrë rastësore 6 prej tyre.

Një nga pyetjet që ka marrë më shumë përgjigje të gabuara është nxehtësia trupore e pacientit, ku 50% kanë thënë se ajo duhet të matet me mollëzat e gishtave, ndërkohë që përgjigjja e saktë duhet të ishte me kurrizin e dorës.

Por ajo që është më e rëndë është një përgjigje që lidhet me reaksionin nga medikamentet e që lidhet drejtpërdrejt me jetën e pacientit. Pyetja kërkon aksionin e parë që duhet të ndërmarrë një infermier në këtë rast, por 20% e të intervistuarve kanë dhënë përgjigje të gabuar, ndërkohë që njëri prej tyre nuk mundi të jepte fare përgjigje.
Gjatë plotësimit të testit shumë prej infermierëve shpreheshin se alternativat e përgjigjeve ishin të afërta me njëra-tjetrën, ndërkohë që disa prej tyre thanë se ndonëse kishin konsultuar me kolegët e tyre fondin e pyetjeve, nuk kishin arritur të jepnin përgjigje të sakta shumë prej tyre.

Testimi nga emisioni “Njerëz në Fokus” u realizua me personelin infermieror të QSUT-së, ndërsa pjesëmarrësit do të mbeten anonimë. Ndërkaq, duke marrë në konsideratë rezultatet e këtij testimi të improvizuar, pyetja që ngrihet është: Problemi qendron tek hartimi i pyetjeve, apo tek niveli i ulët profesional i infermierëve?

DEBATI NE STUDION E “NJEREZ NE FOKUS”

Zërat pro dhe kundër përcillen në “Njerëz në Fokus”. Të ftuar në studio: Sabri Skënderi, President i Urdhrit të infermierëve të Shqipërisë (UISH), Alpina Koca, zv/presidente e Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë (UISH), Alma Pula, pjesë e grupit të punës për hartimin e fondit të pyetjeve të testimit, Mimoza Kalaja, specialiste e edukimit të vazhdueshëm në QSUT dhe gjashtë infermierë nga Tirana dhe qytete të tjera.
Pjesa më e madhe e infermierëve të ftuar u shprehen kundër realizimit të testimit.
“Urdhri i infermierit nuk ka qenë pjesë e konsultimit për pyetjet e testimit. Asnjë pjesëtar i urdhrit të infermierit nuk ka qenë në hartimin e pyetjeve. Ne kërkojmë që testimi të respektojë ligjet e këtij vendi. Duhet të jetë anonim, se testimi këto parime ka. Njerëzit anonim e flasin më me ndershmëri atë çka kanë. Ministri duhet të kishte bërë një konsultë më të gjërë të të gjithë faktorëve dhe aktorëve dhe me siguri do të kishte gjetur një formë tjetër.”- u shprehën infermierët.

Presidenti i Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, Sabri Skënderi tha se 90% e infermierëve janë shprehur kundër këtij testimi. “Urdhri i Infermierit të Shqipërisë nuk ka qenë pjesë institucionale e kësaj iniciative. Nuk jemi dakord me këtë lloj testimi. Më është thënë se ka marrë fund se testimi do të bëhet. Nuk është problem mënyra, mjeti, a është ky mjeti i duhur për të realizuar qëllimin. Mbi 90% e infermierëve shprehen kundër këtij testimi. Mjeti nuk justifikon qëllimin. Qëllimi i këtij testimi është një punë e mbrapshtë. Urdhri i Infermierit e ka realizuar një testim të tillë”- deklaroi Skënderi.
Mimoza Kalaja, specialiste e edukimit të vazhdueshëm në QSUT, tha se qëllimi i këtij testimi është të bëhet një fotografim për situatën konkrete në të cilën ndodhen infermierët.

“Këtu është një urdhër i ministrisë. Unë jam vetë e surprizuar nga ky qëndrim i presidentit të Urdhrit. Nuk e di cili është qëllimi juaj, se njëherë dilni i mbroni dhe njëherë jo këta infermierë. Nuk e kuptoj përse është i gjithë ky panik, kur qëllimi është se do të bëhet një fotografim, për situatën konkrete në të cilën ndodhen infermierët”- deklaroi Kalaja.

President i Urdhrit të infermierëve të Shqipërisë, Sabri Skënderi u shpreh përpara dy pjesëtareve të grupit të punës për hartimin e fondit të pyetjeve të testimit, se komisioni ku ato bëjnë pjesë është bërë me njerëz të zgjedhur fshehurazi.

Zonjat Alma Pula dhe Mimoza Kalaja u akuzuan madje se nuk ishin Pedagoge të Universitetit të Infermierisë, pozicion të cilin ato thanë se e kanë mbajtur, edhe pse aktualisht nuk e ushtronin.

Infermieri i QSUT-së, Erion Bala kundërshtoi hartimin e testit, ndërsa iu kujtoi dy zonjave gjendjen e vështirë të punës së përditshme të një infermieri.

“Që të thuash testim është turp i madh, çdo gjë ka vdekur në Shqipëri. Në QSUT nuk ka doreza, nuk ka vigona nëpër spitalet e rretheve. Në Burrel nuk ka asnjë lloj pajisje. Dhe ju doni të testoni infermierët? Ministria organizon sistemin shëndetësor, nëse doni të ngrini struktura paralele bëjeni. Pyetje për infermierët duhet të ishte si vishen dorezat por ata nuk kanë doreza, s’kanë përdorur ndonjëherë në punën e tyre. I bëj thirrje ministrit nëse do të ketë proces për çdo infermier, mjek në edukim duhet të ngrejë qendra terciare që të marrë dijet e Europës dhe Botës. Kam qenë në Europë dhe Botë ku spitalet shtetërore ishin si hotele me 7 yje. I bëj thirrje ministrit të respektojë autonominë e profesionit tonë”, – tha Bala.

Gjatë emisionit pati edhe debate në lidhje me rastin e një pyetje të testit, ku një i sëmurë ishte etiketuar me termin klient në vend të pacient. Ku etiketim u kritikua nga infermieri Bala, ndërkohë që zonjat Pula dhe Kalaja u shprehën se të dy emërtimet janë korrekte, ndërsa në lidhje me termin klient ato sqaruan se bëhet fjalë për rastin kur klienti ka disa variante mjekimi dhe ai zgjedh vetë kurën e përshtatshme për të.
REPLIKAT KALAJA-SKENDERI
Mimoza Kalaja: Çfarë keni bërë ju për edukimin në vazhdim të infermierëve? Çfarë bëre kur më hoqën mua nga puna? Çfarë ke bërë deri tani, se unë për edukimin në vazhdim kam bërë për 10 muaj më shumë se ty për 7 vjet.
Sabri Skënderi: Urdhri i Infermierit të Shqipërisë është më tepër një institucion etik dhe profesional. Për dy vite kemi organizuar 84 aktivitete.
Kalaja: Çfarë bërë ti, unë vi me projekte.
Skënderi: Ti po të mos kishte Kristalin, nuk do ishe këtu.
Kalaja: Nuk keni bërë asnjë trajnim.
Skënderi: Të kam mbështetur moj dhe aty ku je. Të çova për zë të fortë, jo për më të diturën, por po bëhem pishman. 

Shqetësimi kryesor i ngritur nga infermierët ishte cilësia e pyetjeve të testimit. Duke sjellë shembuj konkretë të pyetjeve me alternativa të paqarta, infermierët kërkuan shpjegime nga hartuesit e këtyre pyetjeve.
Skënderi: Disa prej pyetjeve janë qesharake. Nuk mund të prisnim më shumë se sa kaq.
Alma Pula: S’ke të drejtë të ofendosh asnjeri, kush je ti? Hajde i diskutojmë të gjitha pyetjet një nga një.

Kalaja: Vetëm se s’je ti, nuk do të thotë gjë.
Skënderi: Zonja Kalaja është përzgjedhje miqësore, shoqërore. Sot mësova të vërtetën që unë kam kërkuar të më mbështesin për rritjen e etikës tuaj profesionale njerëz të nivelit mediokër.
Alma Pula: Ka shumë organizma kompetente që më vlerësojnë. Nuk do bie në nivelin e Sabriut.
Kalaja: Ne nuk kemi ardhur këtu për të bërë luftë. Që të bëhemi më serioz, ne jemi këtu për të ulur këtë panik tek infermierët. Eshtë një provokim që vetëm ngjall panik. Përse po tremben infermierët?

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb