Java e kaluar ishte e ngarkuar me ngjarje të “mëdha” politike, ku më e rëndësishmja dhe më e rënda njëkohësisht ishte përplasja mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu. Por, në Shqipëri ngjarjet evoluojnë shpejt dhe një tjetër do të do të kapte kreun e hit parade-it të politikës. Ajo përbëhej vetëm nja dy radhë tekst dhe kishte sërish për protagonist ambasadorin amerikan. Donald Lu u bënte thirrje shqiptarëve patriotë e të aftë që të aplikojnë për t’u bërë anëtarë të komisioneve të vetingut. Situata është shumë e thjeshtë. Që deklarimet e pasurisë së gjykatësve e prokurorëve dhe kualifikimi i tyre profesional të kontrollohen e verifikohen, ligji parashikon ngritjen e tre komisioneve, që kanë në përbërje gjithsej 27 ekspertë.

Këta do të jenë njerëzit që do të sugjerojnë se kush do jetë e kush jo në sistemin e drejtësisë. Këta do të jenë gjykatësit e gjykatësve dhe prokurorëve. Këta duhet të jenë të ndershëm, të drejtë, të aftë dhe patriotë. Këta nuk duhet të jenë të korruptuar dhe për këtë do të jenë edhe nën monitorim e nën përgjim në gjithë komunikimin e tyre gjatë gjithë kohës së ushtrimit të kësaj detyre. Por deri fundjavën e kaluar, 5 ditë para skadimit të afatit, kishin aplikuar vetëm 6 ekspertë. Ndërsa deri të hënën, 3 ditë para skadimit të afatit, kishin aplikuar vetëm 12 ekspertë. Logjika ta do që të ketë shumë më tepër aplikime se numri i vendeve në komisione, në mënyrë që të përzgjidhen më të mirët. Por mungesa e aplikimeve bëri që ambasadori amerikan të lëshojë një apel publik për “shqiptarët e ndershëm dhe patriotë, që janë edhe të kualifikuar në fushën që kërkohet”. Avokati i popullit ndërkohë, institucioni që mbledh aplikimet, ka njoftuar se do të jetë hapur deri në orën 20:30, njësoj si në kohën e regjistrimit të studentëve, ku ka mijëra aplikantë.

Ka dy çështje këtu, që e bëjnë të rëndë këtë fazë të zbatimit të reformës në drejtësi. Përse duhej të reagonte pikërisht ambasadori i SHBA-ve për mosaplikimin e ekspertëve? A duhet ta akuzojmë sërish zotin Lu se po ndërhyn në punët e institucioneve tona në këtë rast? Përse nuk shqetësoi asnjë zyrtar të lartë të shtetit shqiptar kjo situatë, duke filluar që nga Presidenti i Republikës? E dyta është vetë indiferenca e ekspertëve. Në një vend ku drejtësia është mekanizimi më i shthurur i shtetit, në një shoqëri ku korrupsioni është kryefjala e gjithkujt që flet e shkruan, fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi është një lajm i madh dhe një moment vërtet me rëndësi historike. Padyshim që mund të ketë ndër ata që kanë vendosur ta dorëzojnë aplikimin në momentet e fundit të afatit zyrtar, por sërish logjika ta do që duhet të kishte një vërshim kandidaturash për këto komisione.

Jo thjesht për një vend pune, jo thjesht për një pikë të rëndësishme në CV-në profesionale, por mbi të gjitha si një kontribut për shtetin dhe shoqërinë. Për të punuar për një proces që do t’u hapë udhë përpjekjeve për të bërë drejtësinë dhe për të nisur një epokë të re në luftën ndaj korrupsionit dhe konsolidimit të shtetit ligjor. Thirrja e ambasadorit Lu u ngjason thirrjeve të udhëheqësve ushtarakë, ku njerëzit patriotë që e duan vendin e tyre, ftohen të rrokin armët kundër armikut. Në fakt, edhe ne jemi në luftë tashmë. Jemi në luftë me pjesën tonë më të keqe, me bastardët e politikës, me batakçinjtë e korruptuar të pushtetit, me botën e inkriminuar që ka mbërritur deri në parlament. Por, për fat të keq shumë pak ushtarë janë treguar të gatshëm deri tani për të luftuar. Nëse nuk do të duam të pranojmë se jemi të gjithë të korruptuar, do të duhet të pranojmë se nervi i atdhedashurisë ka ardhur duke na vdekur. /Marrë nga Opinion.al
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: