Xhani De Biazi jep indicie të forta për formacionin që do të zbresë në fushë të premten kundër Italisë. Në stërvitjen e pasdites së djeshme trajneri ka provuar për herë të parë titullarët, duke lënë të kuptohet se e ka ndarë mendjen. Italiani po studion me qetësi performancën e të gjithë lojtarëve që ka grumbulluar, ndërkohë që janë të shumta shqetësimet dhe mendimet që bluan në mendje De Biazi. Mungesa e Mërgim Mavrajt dhe Berat Gjimshitit në mbrojtje duket se do të zëvendësohet me aktivizimin e Arlind Ajetit dhe Burim Kukelit në qendër të repartit të prapavijës. Nga ajo që u la të kuptohet në stërvitjen e djeshme. Në portë titullar pritet të jetë Thoma Strakosha, i cili duket se ka fituar balotazhin me Alban Hoxhën.
Në mbrojtje do të luajnë Hysaj dhe Agolli nga krahët, ndërsa qendra do t’i besohet dyshes Ajeti-Kukeli, me këtë të fundit të improvizuar në këtë pozicion. Në mesfushë, De Biazi ka provuar Abrashin, Xhakën dhe Memushajn. I pari nuk u stërvit me grupin të hënën, por dje tregoi se nuk ka asnjë problem dhe është gati për ta nisur nga minuta e parë. Nga krahët e mesfushës, risia ishte Andi Lila, i cili është provuar në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë Odise Roshi. Alternativë është edhe Azdren Llullaku, por duket se De Biazi më shumë i beson Lilës dhe Roshit. Sa i përket sulmit, favorit për të qenë titullar në skemën 4-5-1 është Armando Sadiku. Nga ana tjetër, Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi do ta nisin nga stoli. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në seancat e fundit, pavarësisht se De Biazi duket se ka ndarë mendjen.
TAKIMI
Në fytyrën e De Biazit duket shumë qartë dëshira e madhe që ai ka për të dalë me pikë nga sfida kundër kombit të tij. Në stërvitjen e djeshme, ai ka qenë i prerë dhe i qartë me lojtarët, duke kërkuar impenjim dhe saktësi maksimale në të gjitha këndvështrimet.
Në fillim të seancës, De Biazi qëndroi disa minuta “kokë më kokë” me mbrojtësin Arlind Ajeti, i cili do të ketë shumë punë përballë sulmit të frikshëm italian. Tekniku e këshilloi lojtarin, duke i kërkuar të jetë i qetë, i përqendruar dhe të mos bjerë pre e presionit të sulmuesve si Imobile dhe Beloti, të cilët mund ta fitojnë 11-metërshin fare kollaj. Fakti që Ajeti e ka shok skuadre Belotin, duket sikur ia bën edhe më të lehtë mbrojtësit. Mirëpo, De Biazi i ka dhënë këshilla të qarta, duke e paralajmëruar së pari që të jetë i qetë dhe të evitojë ndërhyrjet e rënda.
Duket sikur në stafin kuqezi i druhen ndonjë penalltie, prandaj dhe jo më kot trajneri ka folur dje gjatë me Ajetin. Në shtëpinë e kuqezinjve mbizotëron një atmosferë e qetë, në një kohë që motivimi është maksimal, pasi kjo imponohet edhe nga kundërshtari./panoramasport