PRISHTINE – Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme që drejtohej nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, kanë diskutuar lidhur me anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në organizata parlamentare. Duke e dhënë një pasqyrë të marrëdhënieve të rregullta të Kuvendit me organizata të ndryshme parlamentare evropiane dhe rajonale, Hoxhaj ka konstatuar me keqardhje se legjislativi i vendit është institucioni më i izoluar i vendit. Ai në vazhdim ka folur për mundësitë që Kuvendi i Kosovës të anëtarësohet në organizata të ndryshme parlamentare, në agjenci parlamentare, në mekanizma të organeve parlamentare, si dhe në rrjete të ndryshme të deputetëve.

Anëtarët e Komisionit, kanë mbështetur idenë e Hoxhajt dhe kanë kërkuar që të studiohen mundësitë për anëtarësim në këta mekanizma, si dhe kanë kërkuar që të përgatitet lista me prioritete për organizatat e dhëna, bashkë me ekspertizat profesionale për procedurat e anëtarësimit. Mbështetëse të fuqishme të anëtarësimeve të synuara mund të jenë grupet e miqësisë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve tjera, është thënë në takim. Po në takimin e sotëm , Komisioni për Punë të Jashtme ka shqyrtuar edhe agjendën e vizitave të anëtarëve të tij në parlamente të tjera.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb