Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Serbia “është shfajësuar” gjatë qeverisjes së PDK-së dhe në kohën kur ish-presidenti Hashim Thaçi e udhëhiqte dialogun me Serbinë.

Haxhiu publikoi një audio, ku ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi flet për krimet e luftës.

“Për krime lufte s’e kisha dënu asnjë njeri. Kisha bë amnisti. Sepse për mua çmimi më i madh për luftën është liria dhe pavarësia”, thotë Kuçi në audion e publikuar në Kuvend nga Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë tha se të njëjtën qasje “e ka ndjek edhe Hashim Thaçi”.

“Pra, Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë flet për amnistimin e krimeve të luftës. Këtë qasje e ka ndjekë Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja. Këtë qasje e ka ndjekë edhe Hashim Thaçi sa e ka udhëhequr dialogun me Serbinë”, tha ajo, raporton Express.

Haxhiu tha se me miratimin e deklaratës për personat e zhdukur, në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, “për herë të parë çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet”.

“Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive ku ende i mban qytetarët tanë”, tha ajo.

“Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës, mbi qytetarët tanë”, sipas Haxhiut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb