TIRANË- Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot Ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas “Kushtetueses”, Byroja e Hetimit nuk pajtohet me Kushtetutën dhe është pjesë e ligjit për policinë. Ngritja e byrosë së Hetimit u ankimua nga Partia Demokratike e cila kishte kërkuar shpalljen antikushtetuese.
NJOFTIMI I PLOTE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim çështjen me palë:
Kërkues: Një e Pesta e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike)
Subjekte të Interesuara: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave
Objekt: Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Kreut VI “Byroja Kombëtare e Hetimit” (nenet 27-36) dhe nenit 49 të ligjit nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”.
Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, me vendimin e datës 17.04.2015, bazuar në nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
– Shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Kreut VI “Byroja Kombëtare e Hetimit (nenet 27-36) të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”.
– Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 49 të këtij ligji.
(a.n/BalkanWeb)