NGA: AURORA KOROMANI* TIRANE – Efektivët e policisë të cilët kanë të paktën 4 vjet që ushtrojnë profesionin e tyre, mund të kenë të drejtë të konkurrojnë për të qenë pjesë e strukturave të Policisë Gjyqësore. Por, përveç këtij kushti, për të qenë pjesë e kësaj strukture, efektivët, jo vetëm ata të Policisë së Shtetit, por edhe punonjësit e shërbimeve të tjera policore, duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh të tjera. Këto të fundit përcaktohen qartë në ligjin nr. 8677, i cili është botuar ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare.
Sipas këtij ligji, kanë të drejtë që të konkurrojnë për të qenë oficerë në seksionet e Policisë Gjyqësore, të gjithë efektivët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë, në rast se janë emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, ose të plotësojnë kriterin e arsimit sipas ligjit të institucionit ku bëjnë pjesë. “Për t’u bërë OPGJ, duhet që të kesh mbi 4 vite eksperiencë pune, të mos kesh qenë asnjëherë i dënuar apo i ndjekur penalisht, si dhe të kesh cilësi të larta etiko- morale”, thuhet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, të botuar në QBZ.
AGJENTËT

Në ligj përcaktohen qartë edhe kriteret që duhet të plotësojnë efektivët e policisë për t’u bërë agjentë në seksionet e Policisë Gjyqësore, para se të futen në procesin e konkurrimit. “Efektivët, për t’u bërë agjentë duhet që të plotësojnë kriterin e arsimit sipas ligjit për forcën policore ku bën pjesë, të ketë të paktën 2 vite eksperiencë dhe të mos jetë i dënuar apo i ndjekur më parë penalisht”, citohet në ligjin nr. 8677, i botuar në Fletoren Zyrtare.

PAGA

“Paga e oficerit të Policisë Gjyqësore, të seksioneve të prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të prokurorive të Apelit, është e barabartë me 70 për qind të pagës së prokurorit të prokurorisë së rrethit gjyqësor. Pas 5 vjetësh në shërbim në seksionin e Policisë Gjyqësore, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit”, përcaktohet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”.

Aty sqarohet se mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, paga e oficerit të Policisë Gjyqësore, të seksionit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, si dhe të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm shtohet 20 për qind. Por, OPGJ-të mund të përfitojnë edhe shpërblime për merita profesionale, në masën e caktuar, me propozimin e drejtuesit dhe me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Gjithashtu, oficerët që janë emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, përfitojnë leje të pagueshme vjetore prej 30 ditësh kalendarike. “Oficerët e Policisë Gjyqësore, të emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, përfitojnë për vështirësi pune një shtesë deri në 20 për qind. Kriteret për përcaktimin e vështirësive, gjatë kryerjes së punës së oficerit të Policisë Gjyqësore, miratohen me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, me propozim të Këshillit të Prokurorisë”, citohet në ligjin e botuar në Fletoren Zyrtare.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb