SKRAPAR– Një person është gjetur i pajetë mbrëmjen e sotme në Skrapar. Mësohet se trupi i pajetë është konstatuar nga kalimtarët në një kanal uji në lagjen “Hasan Seitaj”. Sipas policisë, trupi i përket shtetasit Ç.L, 76 vjeç, i cili dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka humbur jetën.

Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:00 në Sallën Operative ka mbërritur një telefonatë se një shtetas është konstatuar nga të afërmit e tij i mbytur në një kanal uji në lagjen “Hasan Seitaj”, Skrapar.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe eksperti mjeko-ligjor ku kanë konstatuar se:
Shtetasi Ç.L, 76 vjeç, dyshohet të ketë rrëshqitur, duke u rrëzuar në kanalin me uji pranë banesës së tij.
Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera nga ndonjë faktor tjetër.
Shkaku paraprak i humbjes së jetës dyshohet nga mbytja në ujë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: